Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë sërish para mediave me deklarata të fortë dhe tone të ngritura kundër Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku qëndroi këtë të enjte më shumë se 3 orë duke dhënë dëshmi për disa pyetje të drejtuara nga porokurorëtr e posaçëm. Por në daljen e radhës nuk shpëtoi nga “shigjetimi” as bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi. Për këtë të fundit tha se kush ka vlerësim për SPAK, ofendon dhe fjalën “baxhellë”.
Ilir Meta: Ose shpërbëhet mafia o shpërbëhet kombi. I keni nënvlerësuar disa paralajmërime të mia kohë më parë. Dhe jemi këtu. Dhe në këtë sallë. Nëse dikush ka vlerësim për SPAK pas gjithë këtyre fakteve turpëron edhe fjalën baxhellë. SPAK është institucion kriminal, kundër kushtetutës, kundër pluralizmit politik, në vend që të ndaloj Ramën, Veliaj mban në presion dhe shantazh liderët e opozitës. Do japi llogari çdo prokurori i SPAK që fle mbi dosjet që janë atje. Për veshi do i ngremë, siç vajti McGonigal në burg do shkojnë dhe të tjerë. Në një betejë që dikush nuk niset për të vdekur, nuk fiton kurrë, dhe kjo është një betejë jetë a vdekje.
Ky shpërthim i Metës, vjen një ditë pas deklaratës së bërë nga deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi, njëherëz dhe bashkëshortja e tij për SPAK. Një ditë më parë teksa dilte nga SPAK, Kryemadhi tha se ndahet me Metën, sa i përket qëndrimeve ndaj drejtësisë, për të cilën tha se nuk e sfidon. Ajo tha se lufta e saj është beteja politike dhe jo beteja me prokurorët
Monika Kryemadhi: Vazhdoj t’i qëndroj çdo deklarate time të lidhur me reformën në drejtësi. Nuk e sfidoj as sistemin e drejtësisë, as sistemin ku ne jetojmë dhe punojmë, pavarësisht problematikave që kemi,. Nëse do sfidoja nuk do isha nga deputete e pakta që ka dorëzuar në SPAK 6 padi për inceneratorin apo ndërtimit pa leje të inerteve në lidhje me inceneratorin. Të gjithë kemi ndasitë dhe qëndrimet tona. Lufta ime është betejë politike, as me prokurorët. Ata do bëjnë punë e tyre, unë jam një e paditur nga Veliaj.