Thyhet siguria te Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (!) , pse arrestimi i punonjësit për vjedhje zbuloi një skandal të madh
Nga Albi Hoxha
Arrestimi dhe dënimi i një punonjësi të Aeroportit Nënë Tereza Rinas me akuzën e vjedhjes së bagazheve të një pasagjeri kaloi më shumë si një lajm rutinë në mediat e Shqipërisë gjatë ditës së djeshme, ku një pjesë duke mos kuptuar rendësinë e ngjarjes, vrapuan pas “scoop-it”, kurse të tjerë fajësuan (kësaj radhe pa të drejtë) kompaninë ajrore.
Wizz Air ka shumë mëkate në lidhje me pasagjerët shqiptarë, ashtu siç ka ofruar edhe shumë lehtësi sa i përket uljes së çmimit të biletave, por kësaj radhe çështja nis dhe mbaron te kompania që menaxhon Aeroportin e Rinasit, Kastrati Group.
Nuk merren kompanitë ajrore me ngarkimin e bagazheve, por aeroporti.
Duhet thënë që aeroporti i Rinasit është një sukses sa i përket numrit të pasagjerëve që është rritur ndjeshëm, futjes së kompanive të reja ajrore dhe destinacioneve të reja si edhe uljes së çmimit të biletave. Çfarë i takon Çezarit, po ia japim.
Por, arrestimi dhe dënimi i Klajdi Q. nga Kruja pasi vodhi në barkun e avionit orën Rolex të një biznesmeni teksa po ngarkonte valixhen e tij në avion është një lajm i kobshëm sa i përket sigurisë së aeroportit.
Biznesmeni mund të blejë orë tjetër ndoshta, por është shqetësues fakti që një punonjës është aq i pakontrolluar, përreth mungojnë sistemet e sigurisë sa që dikush merr guximin të vjedhë një orë, ta fshehë në trup dhe të mund ta nxjerrë jashtë pa asnjë problem.
Pasi, siç mund të nxirren jashtë gjëra të paligjshme, ashtu edhe mund të futen brenda!!
E mbani mend se si thasët me para të Raiffeisen Bank u grabitën nga barku i avionit “Austrian Airlines”?
Lajmi i kaluar rutinë dje, në fakt tregon se sistemet e sigurisë së Aeroportit Nënë Tereza kanë rënë (shpresojmë vetëm në rastin e vjedhjes së orës) dhe se duhet bërë një reform tërësore për rivendosjen e saj.
Çfarë nuk ka funksionuar dhe pse është çështje për të vënë alarmin:
1. Siguria e bagazheve të pasagjerëve
Punonjësit që kanë akses në bagazhe duhet të kalojnë nëpër procese të rrepta të kontrollit dhe mbikëqyrjes. Në këtë rast, moszbulimi i sjelljes së jashtëligjshme nga ana e punonjësit tregon dobësi në sistemet e monitorimit të brendshëm të aeroportit. Kjo është e dukeshme që gjithë sistemi ka dështuar.
2. Ndikimi mbi besimin e pasagjerëve
Ky incident dëmton besimin e pasagjerëve te shërbimet aeroportuale, veçanërisht për kompanitë ajrore dhe linjat e udhëtimit që operojnë në aeroport. Për pasagjerët, siguria e bagazheve të tyre është po aq e rëndësishme sa ajo personale.
3. Kontrolli i aksesit të personelit
Një thyerje e tillë e sigurisë sugjeron se masat ekzistuese për të garantuar integritetin e personelit dhe për të parandaluar vjedhjet ose keqpërdorimet nuk janë të mjaftueshme. Aeroportet ndërkombëtare zakonisht kanë politika të rrepta për të siguruar që vetëm punonjës të besueshëm të kenë akses në bagazhet. Ngjarja tregoi se Rinasi nuk i ka.
Korrieri mund të kishte përdorur gjuhë edhe më të fortë dhe të drejtpërdrejtë për këtë rast, por duke vlerësuar rendësinë strategjike që ka aeroporti, mendojmë se mjaftojnë këto rreshta për të shkundur zilet e alarmit te ata që e kuptojnë fare mire rendësinë e ngjarjes!!!
Nuk mundet që çdolloj çapaçuli i punësuar në aeroport të fusë dhe të nxjerrë sende nga barku i avionit sipas qejfit të tij. Gazeta i ka nisur një kërkesë për informacion kompanisë Tirana Airport SHPK duke kërkuar të dimë nëse janë rishikuar masat e sigurisë për punonjësit dhe procedurat e rekrutimit të tyre dhe mbetemi në pritje të përgjigjes së tyre.
Zgjohuni sa nuk është vonë! /Korrieri