Këngëtarja Elvana Gjata është renditur e dyta në Festivalin e Këngës të 63-të të RTSH-së. Edhe kësaj herë, ajo nuk ka arritur që të përfaqësojë vendin në Eurovizion. Një ditë pas spektaklit, Elvana Gjata iu drejtua me një mesazh fansave të saj. Por po ashtu pati edhe një mesazh për kritikuesit e saj në rrjet, duke kërkuar vetëm kritikë konstruktive dhe jo gjuhë urrejtjeje.
“Faleminderit për gjithë dashurinë, votat tuaja dhe mesazhet e panumërta që më dërguat gjatë FIK63. Unë jam shumë mirënjohës për të gjithë ata që më mbështetën gjatë gjithë rrugës për në finale dhe premtoj ta kthej atë dashuri dhjetëfish përmes muzikës sime. I uroj gjithmonë më të mirën vendit tim dhe kujtdo që e përfaqëson atë në skenat ndërkombëtare. E njëjta gjë vlen edhe për Shkodra Elektronik-duke ju uruar një eksperiencë të mrekullueshme në Eurovision 2025! Unë e mirëpres kritikën konstruktive pasi më ndihmon të bëj më mirë, por le ta mbajmë bisedën pa gjuhën e urrejtjes – ajo nuk ka vend në muzikë apo askund tjetër. Me dashuri, Elvana,”-shkruan këngëtarja.
Por, pas përfundimit të festivalit ka rënë në sy se Elvana Gjata i fshiu të gjitha postimet lidhur me performancën e saj në rrjetet sociale. Kjo është hera e dytë që artistja konkuron dhe nuk fiton për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion. Mbrëmjen e djeshme fituese doli “Shkodra Elektronike” me 143 pikë, ndërsa Elvana Gjata arriti të merrte vetëm 135 pikë.