Pak ditë më parë në mediat sportive shqiptare u përmend emri i Anthony Cacit, një talent i ri që luan me ekipin e Mainz 05.
Mbrojtësi i talentuar ka shtetësi franceze dhe luan krah një tjetër shqiptari, Brajan Grudës, por ndërsa ky i fundit e ka refuzuar kombëtaren shqiptare, Cacit as nuk i është dhënë kjo mundësi.
E pikërisht se kishin dyshime se ai është shqiptar nga mbiemri, zyrtarë të FSHF-së tentuan ta kontaktojnë, por më kot.
Kështu Silvinjo vendosi të shkonte dhe ta pyeste vetë nëse “ishte shqiptar”. Pas këtij momenti, nuk u mësua nëse Caci është apo jo shqiptar.
Por tashmë duket se misterit i ka ardhur fundi. Pasi i doli emri në media, qindra shqiptarë gjetën Instagramin e tij dhe i kërkuan të tregojë nëse është apo jo shqiptar.
Dhe Anthony Caci duket se ka konfirmuar pikërisht këtë. Ai ka postuar në Instagram fotografinë me një person tjetër duke shkruar në gjuhën shqipe “Vëllai im”. Ai ka vendosur edhe flamurin kuq e zi krahas fotos, duke konfirmuar kështu origjinën shqiptare.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse ai do të konfirmojë edhe ftesën e Silvinjos për t’u bërë pjesë e kombëtares shqiptare.