Vilë nga Samir Mane dhe thasë me para nga Vodafonë përmes Marin Gjonaj dhe Adrian Shatku, Monika Kryemadhi njofton vendimin ekstrem pas sekuestrimit të vilave
Monika Kryemadhi u paraqit sot në Apelin e GJKKO në lidhje me sekuestrimin e dy vilave, ndërsa vendimi për këtë çështje pritet të merret nesër.
Në një deklaratë për mediat, Kryemadhi ironizoi situatën duke thënë se pas këtij vendimi do të jetojë në çadër.
“Pesë minuta para se të futesha në gjyq, dhjetë policë zbarkuan te dera e shtëpisë. Ishte një skenar interesant, ndoshta për presion psikologjik, ose ndoshta rastësi. U kam thënë që jam në gjyq, dhe ata erdhën ditën tjetër. U bë procesverbali, u firmos, dhe përfaqësuesit e agjencisë së sekuestrimit u paraqitën. Prokurori tha se prona është e ligjshme, por mendonin që ne duhet të dalim nga shtëpia. Po mirë, do jetojmë në çadër. Apo të marrim një kontejner dhe të vendosemi në një tokë që do të na japin,” u shpreh Kryemadhi.
DOSJA
Gazeta Korrieri ka publikuar deri më tani detaje nga dosja e SPAK mbi çiftin Meta-Kryemadhi, ku mes të dhënave rezulton edhe një episod ku përfshihet biznesmeni Marin Gjonaj përmes kompanisë Info Telecom.
Personazhi kyç në këtë rast është Adrian Shatku, i cili lidh Kryemadhin, Metën, Marin Gjonajn dhe Vodafone Albania në shërbim të kompanisë UNIFI Holdings. Në fakt, siç mëson Korrieri, Shatku shërben si përfaqësues i interesave të Metës dhe Kryemadhit në UNIFI Holdings, ku duket se kemi një marrëdhënie pronarë-vartës.
Rezulton se kompania Info Telecom, e drejtuar nga Marin Gjonaj dhe Anisa Skëndaj, është vënë në shërbim të Metës dhe Kryemadhit duke mundësuar lidhjen teknike të pajisjeve të UNIFI me Vodafone, duke përfituar përqindje fitimi nga ky raport.
Sipas burimeve të gazetës Korrieri, Marin Gjonajështë marrë në pyetje nga agjentët e BKH-së në lidhje me marrëdhëniet e tij me Adrian Shatkun, duke hedhur fajin mbi bashkëadministratoren e kompanisë Info Telecom, Anisa Skëndaj, vajza e biznesmenit të njohur Marsel Skëndo.
Gjonaj ka deklaruar se marrëdhëniet me kompanitë vendase i menaxhonte Anisa Skëndaj, duke shmangur përgjegjësinë nga vetja dhe duke theksuar se ajo ishte përgjegjëse për kontratat dhe financat.
Ndërkohë, në komunikimet e zbardhura nga SPAK, rezulton se Monika Kryemadhi dhe Adrian Shatku diskutojnë pikërisht për Marin Gjonajn dhe rolin që kishte kompania Info Telecom në lidhjen teknike të UNIFI me Vodafone për tranzitimin ndërkombëtar të thirrjeve.
UNIFI u fut në tregun e tranzitimit të thirrjeve të Vodafone, ndërkohë që më herët ishin aktivë Theodhori Çami dhe Marin Gjonaj.
Çami luajti rolin e sekserit mes drejtuesve të Vodafone, ndërsa Gjonaj atë të sekserit teknik, duke mundësuar lidhjen e pajisjeve, çka u mundësoi Adrian Shatkut, Monika Kryemadhit dhe Ilir Metës të përfitonin qindra mijëra euro në muaj, duke shfrytëzuar influencën e tyre.
Çfarë është dhe si funksionon tranzitimi i thirrjeve ndërkombëtare?
Interkonjeksioni është lidhja e dy rrjeteve telefonike, fikse ose celulare, në mënyrë që thirrjet të kalojnë nga një rrjet te tjetri, për shembull, lidh rrjetin e Vodafone Mbretëria e Bashkuar me rrjetin e Vodafone Shqipëri. Këto dy rrjete, duke qenë se nuk kanë lidhje direkte, duhet të kontraktojnë një palë ndërmjetëse, e quajtur operator tranzitues, që të marrë thirrjet nga një rrjet dhe t’i transmetojë te rrjeti tjetër.
Vodafone Shqipëri faturon kompaninë tranzituese për minutat që ka sjellë në rrjetin e saj, ndërsa operatori tranzitues faturon kompaninë telefonike nga ku gjenerohet thirrja për minutat që ka dërguar te Vodafone Albania, por me një çmim më të lartë sesa ai që i faturon Vodafone Shqipëri.
Pra, operatori tranzitues duhet të ketë marrëveshje tranzitimi me dy kompani njëkohësisht.
Marin Gjonaj, një biznesmen kontravers, është i njohur për Policinë e Shtetit, pasi dy vite më parë u shpall në kërkim për ndërtimin e paligjshëm të një ferme të Bitcoinit në Durrës. /Korrieri
Vilë nga Samir Mane dhe thasë me para nga Vodafonë përmes Marin Gjonaj dhe Adrian Shatku, Monika Kryemadhi njofton vendimin ekstrem pas sekuestrimit të vilave