Vaj palme në djathin e bebes, kompania EKA në Pezë përfundon në prokurori: Korrieri zbuloi batërdinë me shëndetin e shqiptarëve, AKU hesht
Gazeta Korrieri ka denoncuar prej muajsh praninë vajit të palmës dhe qumështit pluhur në prodhimet e bulmetit në vend duke publikuar një seri investigimesh gjatë shtatorit dhe tetorit 2023 në lidhje me këtë problematikë, kur Autoriteti Kombëtar i Ushqimit bën një vesh shurdh për arsye ende të paditura…ose të ditura, por deri kur t’i vërtetojmë me video këto pretendime le të mbetemi me kaq.
Sëfundmi, inspektorët e AKU kapën vaj palme të padeklaruar në djathin e bebes të prodhuar nga kompania EKA në Tiranë, por u kujdesen për të mos publikuar emrin e kompanisë.
Të njëjtën gjë AKU ka bërë edhe kur bllokoi tonelata me produkte bulmeti gjatë verës së vitit 2023 te LUFRA, ERZENI, GJIROFARM, SHAKA BOBOSHTICË, MIRELI, AJKA, KLEGEN, dhe të tjerët, të cilat më pas Gazeta Korrieri i zbuloi përmes burimeve të saj duke publikuar edhe detajet e frikshme.
Burime bëjnë me dije se cështja në lidhje me kompaninë EKA në Tiranë ka shkuar në prokurori për shkak se ata nuk kishin deklaruar vajin e palmës, i cili është konstatuar gjatë analizave në laboratorin e Mjekësisë Veterinare në Shkup. Sic zbuloi më herët Korrieri, ky laborator përdoret gjatë viteve të fundit nga AKU për analizat e vajit të palmës, ndryshe nga sa ishte deklaruar më herët se gjoja bëheshin në laboratorë të Bashkimit Europian.
Madje, Korrieri zhvilloi një intervistë me drejtuesen e këtij laboratori në Shkup, e cila pranoi se kryente analizat e AKU për bulmetin e bllokuar në Shqipëri.
Ndërkohë që numri i gjedhit dhe të imtave ulet në vend, shtohet sasia e qumështit pluhur dhe vajit të palmës që importohet. Lufra, Erzeni dhe të tjerët kujdesen që të bëjnë reklamë të mirë në media, por stepen kur bëhet fjalë për analiza në laboratorë të pavarur.
Blegtoria në krizë
Statistikisht blegtoria shqiptare po përjeton krizë, pasi numri i krerëve është pakësuar ndjeshëm dekadën e fundit. Sipas të dhënave nga INSTAT, në 2013 në vend numëroheshin 356 mijë lopë. Në fund të 2022 numri i tyre është pakësuar me 95 mijë.
Tkurrje të fortë ka pasur edhe tek krerët e bagëtive të imta. Nga 2,7 milionë krerë me dele/dhi në fund të vitit 2013, një dekadë më pas rezultojnë 700 mijë krerë më pak.
Burimi: INSTAT
Për shkak të pakësimit të bagëtive edhe prodhimi i qumështit ka rënë. Nga 2013 deri në fund të 2022, prodhimi i qumështit në Shqipëri është reduktuar me 161 mijë tonë.
Burimi: INSTAT
Ciklin rënës të blegtorisë, ekspertët e shohin si pasojë të mungesës së mbështetjes dhe politikave të gabuara fiskale ndaj sektorit.
“Blegtoria është në vështirësi serioze. Shkaku kryesor i rënies së numrit të krerëve janë politikat e gabuara fiskale. Një tjetër arsye janë dhe subvencionet, pasi skemat janë diskriminuese. Rënia e blegtorisë nisi në 2018 dhe këtë e tregojnë dhe shifrat e INSTAT-it. Goditjen përfundimtare ia dha trefishimi i inputeve bujqësore dhe rritja e çmimeve të produkteve ushqimore.”- Eduard Sharka, Kryetar i Shoqatës së Fermerëve.
Në vitin 2019, qeveria shqiptare vendosi të ulë rimbursimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për qumështin e prodhuar nga fermerët vendas nga 20 për qind në 6 për qind.
Kjo lëvizje sipas gazetarit të ekonomisë Klodian Tomorri, ishte goditja e parë ndaj prodhimit vendas të qumështit. Goditja e dytë shton ai, erdhi tre vjet më vonë, kur qeveria vendosi që ta heqë fare rimbursimin e tvsh-së për qumështin vendas, duke e ulur nga 6 për qind në zero.
“Nëse një fabrikë përpunimi ble qumësht nga fermeri vendas me 100 lekë për litër, kostoja reale i shkon 120 lekë për shkak se duhet të paguajë dhe tvsh-në në shtet 20 lekë. Por kur qumështin e ble nga importi me 100 lekë, atëherë kostoja reale i mbetet sërish rreth 100 lekë sepse i kreditohet tvsh që paguan në doganë. Rezultati? Fabrikave të përpunimit të qumështit u leverdis më shumë të importojnë qumësht nga importi se sa ta blejnë atë nga fermerët vendas.”– Klodian Tomorri, gazetar ekonomie.
Në këto kushte, Shoqata e Përpunuesve të Qumështit në Shqipëri parashikon një vit të vështirë për blegtorinë.
“Nëse blegtoria nuk do të marrë buxhetin e duhur si në rajon dhe skemat e subvencionimit të jenë të orientuara drejt prodhimit, atëherë edhe në vitin 2024, numri i krerëve do të ulet, duke sjellë për pasojë edhe rënie të sasisë së prodhuar të qumështit.” – Shoqata e Përpunuesve të Qumështit.
Përpunuesit shohin zgjidhje tek ndryshimet e politikave fiskale, pasi siç pohojnë ata, po rritet presioni nga importi në dëm të prodhimit vendas.
Lexoni për më tepër investigimet e Gazeta Korrieri mbi katastrofën e bulmetit në Shqipëri: