KKT miraton park fotovoltaik për Marin Gjonaj te toka e ARMO , prona publike e ZHVATUR ndër vite dhe disa indicie për SPAK
Mes dhjetëra lejeve për kulla dhe komplekse vilash për oligarkët dhe personazhe “presta nome” me prapavijë të zezë që shkon nga Spanja në Dubai, KKT miratoi sëfundmi edhe lejen për ndërtimin e një parku fotovoltaik me kapaciett 100 mega në emër të kompanisë Infotelecom-Albsolar 3, në të cilën shumicën e aksioneve i ka biznesmeni i shumëpërfolur gjatë viteve të fundit, Marin Gjonaj.
Gjonaj rezulton te jetë shpallur në kërkim dy vite më parë nga policia pas ndërtimit të një ferme të prodhimit të Bitcoin në Fllakë dhe Shijak.
Në atë kohë u bënë disa arrestime të njerëzve të kompanisë së Gjonajt, por ai vetë arriti t’ia hedhë prangave në atë kohë.
“Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimin e centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike, me kapacitet prodhues 100 MË dhe veprave ndihmëse”, me vendndodhje në Bashkinë Mallakastër, me subjekt zhvillues shoqërinë “Greennat Solar Park Ballsh” sh.p.k”, thuhet në lejen e miratuar nga KKT në emër të Marin Gjonajt, i cili është përfolur në media edhe si një ndër përfituesit më të mëdhenj të parave publike që shkojnë për blerjen e energjisë elektrike përmes kompanisë “Ener Trade”.
Edhe pse i ri në moshë, Gjonaj ka një CV të pasur sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me policinë dhe ligjin, ndërsa pronësia e tokës së ARMO u mor përmes disa akrobacive me futje aksionerësh, dokumente të cilat vlejnë për hetime më të thelluara.
Historia e dhimbshme e ARMO
Pasi u zhvat ndër vite si nën qevrisjen e Nanos, Berishës dhe Ramës, Rafineria e Ballshit u ble nga kompania Shijaku në vitin 2021 për 8 milionë euro. Rafineria ishte lënë me qira te një shoqëri me aksionerë të regjistruar në Zvicër, Tosk Energji. Pas dështimit edhe të kësaj të fundit, në vitin 2019, Rafineria e Ballshit u mbyll përfundimisht dhe nuk u arrit të gjendej një investitor tjetër i gatshëm për ta rivendosur në punë.
Përllogaritjet e investitorëve të interesuar treguan se rivendosja në punë e raferinerisë kërkonte një investim shumë të madh dhe kjo nuk u vlerësua me leverdi ekonomike.
Rafineria e Ballshit ishte ndërtuar në fund të viteve ‘70 me një teknologji të prodhimit kinez dhe prej asaj epoke investimet në të kishin qenë minimale. Përfundimisht, rafineria u çmontua në vitin 2022 dhe u shit për skrap, ndërsa në tokën ku ishte vendosur do të ndërtohet një park fotovoltaik.
Rafineria e Ballshit ishte aseti kryesor i ish-kompanisë publike të përpunimit të naftës, ARMO, që u privatizua në vitin 2009 për 128 milionë euro nga një konsorcium i udhëhequr prej biznesmenit Rezart Taçi.
Por, ky privatizim nuk solli rimëkëmbjen dhe modernizimin e rafinerisë, por fillimin e tatëpjetës dhe rrënimit përfundimtar të saj. Kompania që fitoi garën e privatizimit dhe disa kompani që e shfrytëzuan rafinerinë në seri dështuan, duke lënë pas shuma të mëdha borxhesh ndaj kreditorëve, furnitorëve, punonjësve dhe tatimeve.
Rafineria e Ballshit ishte i vetmi impiant i përpunimit të naftës bruto me qëllim prodhimin e karburanteve në Shqipëri.
Për shkak të mungesës së investimeve, karburanti diesel i prodhuar në të ishte i një cilësie të dobët, por rezultonte me një çmim më të ulët se karburanti që importohet nga rafineritë e huaja. Prodhimi i karburanteve në vend mund të ndihmonte për të zbutur pjesërisht pasojat e shtrenjtimit të tyre në tregjet ndërkombëtare, duke pasur parasysh edhe faktin se Shqipëria është një vend prodhues i naftës bruto.
Prej mbylljes së Rafinerisë së Ballshit, shumica dërrmuese e naftës bruto që nxirret në Shqipëri eksportohet, me përjashtim të një sasie të vogël që përpunohet për prodhim bitumi në Rafinerinë e Fierit./Korrieri