Çmimet e karburanteve në Shqipëri mbeten të pandryshuara për muaj të tërë, pavarësisht luhatjeve në tregjet globale, duke ngritur pyetje mbi konkurrencën dhe rregullimin në sektorin e hidrokarbureve. Ndërsa importet arritën nivele historike dhe konsumi u rrit, mungesa e mbikëqyrjes së tregut dhe manipulimi i mundshëm i çmimeve janë vënë në qendër të vëmendjes. Thirrjet për praktika më të mira konkurruese dhe masa rregulluese gjithmonë e më shumë zenë vend në diskursin publik.
Në dhjetor 2023 në tabelat e shitjes me pakicë u vendos çmimi 189 lekë për një litër naftë! Nuk kishte ndryshuar që nga muaji maj 2023! Ky ishte çmimi më i lartë, pas hyrjes në fuqi të vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr. 16, datë 23.03.2023, për pezullimin e Bordit të Transparencës së Karburanteve. Nga dhjetori 2023 deri në maj 2024 çmimi nuk ndryshoi! Në maj thuajse në të gjitha tabelat e çmimeve të karburanteve u fiksua një çmim i ri. Ulja me pesë lekë për litër nuk pasqyroi tregun real, pra, as çmimin në bursën PLAT’z të Mesdheut, as kursin e këmbimit USD/Lek, me të cilin kuotohen hidrokarburet. Rënia e çmimit ndodhi pothuajse në të njëjtën kohë; pothuajse me të njëjtën vlerë; në pothuaj të gjitha pikat e shitjes me pakicë të këtij produkti. Një shenjë që, sipas ligjit, duhet të vinte në lëvizje Autoritetin e Konkurrencës (AK), i cili duhet të ndalojë “marrëveshje që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes…, duke ndaluar abuzimin me pozitën dominuese në treg të ndërmarrjeve, të cilat vendosin çmime të padrejta”!
Autoriteti i Konkurrencës, i pyetur për dukurinë e mësipërme, iu përgjigj INA-s se, në zbatim të Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë e ka mbajtur në monitorim tregun e karburanteve. Gjithashtu, edhe tregje të tjera, sensitive janë në monitorim”. AK rekomandoi që të merret në konsideratë edhe vendimi i fundit, nr. 931, datë 16.12. 2022 “Për mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë”.
INA disponon një njoftim shtypi, në të cilin konfirmohet se ka një tjetër vendim (Vendimi nr. 866, datë 25.02.2022), për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë. INA nuk gjeti një vendim për nisje paraprake hetimi për tregun e shitjes me pakicë të naftës. Tregu i hidrokarbureve në Shqipëri, për vitin që kaloi, realizoi një qarkullim vjetor jo më pak se një miliard euro me çmimet aktuale.
Tregu dhe importi – një analizë
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave (DPD), importet e karburanteve iu rikthyen rritjes dyshifrore në vitin 2023. Në vitin 2023 u importuan 659.485 tonë karburant, me rritje vjetore 10.3%.
Ky volum importi i karburanteve ishte një rekord historik. Shoqata e Shoqërive Hidrokarbure (SHSHH), konfirmoi se konsumi u nxit nga rënia e çmimeve në pikat e shitjes me pakicë. Një arsye e dytë e rritjes së konsumit ishin afro 10 milionë turistë. Për rrjedhojë, u rritën të ardhurat nga të hyrat fiskale. Duke iu referuar treguesve të konsoliduar, fiskalë, të publikuar nga Ministria e Financave në vitin 2017, është regjistruar sasia më e ulët e importeve të dekadës së fundit. Në vitin 2023 shënohet rekord historik importesh.
Pas luftës në Ukrainë çmimi i karburanteve arriti kulmin me 260 lekë për litër (në mars 2022), nga 190 lekë litri që ishte para lufte. Çmimi i lartë u reflektua në konsum. Me uljen e çmimit dhe në kthimin e tij në nivelet e paraluftës importet e naftës u rritën jashtë parashikimeve. Ndryshuan edhe burimet e furnizimit, sepse “humbi” furnizimi nga Rusia dhe vendin e parë e zunë rafineritë e Indisë.
Sipas kompanive importuese (njëra prej të cilave Gega Oil, që mbuloi deri në 62 për qind të tregut të furnizimit me shumicë), gati gjysma e sasisë së naftës për Shqipërinë, mbi 300 mijë tonë karburante, nga vetëm 9 mijë tonë në vitin 2022, erdhi nga India. Liderë të furnizimit u bënë austriakët e shumëkombëshes OMV, që e blenë naftën nga rafineritë e Indisë. Importet e naftës nga India nisën në tetor 2022. Deri në vitin 2021 vendi ynë siguronte 12% të importeve totale të karburanteve nga Rusia, ndërsa në vitin 2023 ato ranë në 0,7% të importeve totale, sipas SHSHH.
INA iu referua çmimeve PLAT’z të importit të karburanteve. Për të nxjerrë çmimin final të zhdoganimit, çmimit të tabelës i duhet shtuar një “premium” prej maksimumi 30 USD/ton, (sipas metodologjisë së përcaktuar nga Drejtoria e Politikave të Vlerësimit Doganor në Shërbimin Doganor Shqiptar).
Analistët, që nuk e njohin këtë treg, në përgjithësi gabojnë, kur raportojnë tregje si BRENT i Londrës apo WIT Crude Oil i Teksasit, si tregje referuese për të analizuar kostot e këtij produkti. Duhet thënë se dy tregjet e mësipërme japin tregues për naftën e papërpunuar dhe janë çmimet e kontratave paraprake të rafinerive me kompanitë nxjerrëse të naftës.
Çmimi, që del, i referohet dy periudhave të njëjta të dy viteve të fundit (janar-maj 2023 dhe 2024). Nga janari në maj kemi një rënie të çmimit të bursës PLAT’z me 46,5 USD/ton. Gjatë së njëjtës periudhë, sipas Bankës së Shqipërisë, kemi një rënie të kursit të këmbimit me 9,28 USD/Lek. Asnjë nga këta tregues nuk reflektohet në çmimin e shitjes me pakicë, që zbret në vetëm 5 lekë/litër naftë! Sipas njërit prej ish-anëtarëve të Bordit të Transparencës, që nuk pranoi të identifikohej, Bordi e llogariti çmimin e karburanteve me një formulë, sipas së cilës operatorëve iu njihej një shpenzim fiks, operacional, pas kostos së blerjes së mallit, të provuar me dokumente, por pa asnjë marzh fitimi, kosto shtesë, rreth 15 lekë për litër! Përpara këtij akti normativ, marzhi i fitimit të kompanive hidrokarbure të shumicës ishte 25 lekë për litër!
INA paraqet një analizë të çmimit dhe të sasisë së karburantit të importit për periudhën 2021-2022, për të analizuar tregun e parregulluar të karburanteve:
Grafiku i Autoritetit të Shërbimit Doganor Shqiptar lidh çmimin e produktit me sasinë e tij në treg. Çmimi i karburantit gjatë vitit 2021 ka qenë pothuajse linear dhe rritja e sasisë së importuar ka qenë lineare, në trendin e saj rritës, ndërsa për vitin 2022 çmimi (vija blu e pandërprerë) ka filluar luhatjet, që prej muajit mars e në vazhdim.
Në janar-mars 2022 shënohet rënie e importeve (ngjyra e kuqe e vijës së pandërprerë). Kjo u shoqërua me rritjen e menjëhershme të çmimit (vija e pandërprerë blu). Pikë-prerja e grafikut të sasisë dhe të çmimit vjen pikërisht në muajin mars, muaji i nisjes së luftës në Ukrainë dhe vendosja e embargos ndaj naftës ruse. Tashmë, Shqipëria nuk do të furnizohej më me naftën ruse!
Si kanë qenë të ardhurat?
Rritja e çmimeve ka rritur të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), duke qenë se kjo është një taksë mbi vlerën e mallit. Sa më e lartë vlera, aq më të larta të hyrat fiskale. Qeveria për periudhën janar-korrik 2022 ka humbur 809 milionë lekë të ardhura nga akciza e karburantit, por ka përfituar rreth 3.4 miliardë lekë më shumë nga TVSH, një taksë fundore, që paguhet nga konsumatori. Përfitimi direkt në buxhetin e shtetit është 2,5 miliardë lekë. Qeveria nuk ka asnjë interes se sa është çmimi i naftës në tabelë. Qeverive iu kanë interesuar gjithnjë të hyrat fiskale dhe jo tregu, rregullsia e tij apo qoftë edhe mbrojtja e konsumatorit!
Autoriteti i konkurrencës dhe nafta e vendit
Autoriteti i Konkurrencës e kishte vendosur tregun e karburanteve nën monitorim që nga data 25.02.2022, me Vendimin nr. 866 të Komisionit të Konkurrencës. Ky hetim kishte lidhje vetëm me hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit dhe përfshinte periudhën kohore 1 janar 2021 deri më 25 shkurt 2022. Rritja e ndjeshme e çmimeve me pakicë filloi pas kësaj date.
AK njoftoi se ka nisur monitorimin e tregut të karburanteve – naftë dhe benzinë – dhe pas evidentimit të disa dyshimeve të arsyeshme për shtrembërim të mundshëm të konkurrencës, ka filluar hetimin që në datën 25.02.2022, me Vendimin nr. 866 “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë”.
AK iu përgjigj interesimit për rezultatet e hetimit, duke njoftuar vendimin e tij.
Sipas vendimit. “ndërmarrjet, që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit, naftë dhe benzinë, kanë detyrimin ligjor të mos bëjnë marrëveshje dhe/ose praktika të bashkërenduara, të cilat kanë si objekt ose pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg”.
Edhe më parë, Autoriteti i Konkurrencës, pas pesë vitesh hetim të thelluar në tregun hidrokarbur, nuk arriti të provonte abuzim me pozitën dominuese, pra të provonte se mes ndërmarrjeve ka një marrëveshje të ndaluar apo sjellje të bashkërenduar për të ngritur (apo edhe për të ulur) çmimet në mënyrë abuzive (të padrejtë), që AK të ketë mundësi ligjore që të ndërhyjë, për të ri-sjellë konkurrencën (jo çmimet si qëllim në vetvete) në parametra efektivë.
Abuzimi në treg
Në fillim të shkurtit 2022 çmimet e karburanteve në vend shënuan një tjetër rritje, për herë të shtatë radhazi në vetëm pak muaj. Kur u bë rritja e fundit e çmimeve në vend, nafta në bursa tregtohej me 90 dollarë për fuçi. INA hetoi në dy periudha të ndryshme për të njëjtën bursë tregtimi, atë të Londrës:
Viti 2022 Viti 2009
Çmimi për barelë 90 USD Çmimi për barelë 140 USD
Çmimi në tabelë/litër 193 Lekë Çmimi në tabelë/litër 192 Lekë
Shihet qartë se nuk është faktor “çmimi në bursë“ për të rritur çmimet e pakicës në Shqipëri. Ekspertët e cilësuan këtë ”një abuzim të pastër të importuesve të karburanteve”.
SHSHH, e pyetur nëse ka abuzime në tregun e këtyre produkteve, nuk u shpreh zyrtarisht. Luigj Aliaj, president i shoqatës, tha se do të shprehej më vonë lidhur me sa më sipër.
Kompania më e madhe në treg në importin e hidrokarbureve, Gega Oil, nëpërmjet përfaqësuesit të saj tha: “Nëse e keni fjalën për marzhin e fitimit, që kompanitë importuese po aplikojnë për momentin në rrjetin e pikave, është OK, nuk ka ndonjë abuzim”.
Genc Gega nga kjo kompani komentoi situatën në treg dhe tha se, abuzimi i vërtetë qëndron te fakti se disa operatorë shumë më të vegjël, (pra, jo importues direkt) po mbajnë çmime të ulëta në tabela, rreth 10 lekë/litër më poshtë, në dallim me operatorët e konsoliduar të tregut, si Kastrati apo Gega”.
Kreu i Shoqatës së Mbrojtjes së Konsumatorëve (njëra prej shoqatave në zë në këtë sektor), Ervin Resuli, i pyetur për abuzimet në treg me çmimet naftës, në një nga sektorët përdorues në masë të këtij produkti, tha për INA se, “nga informacionet me blegtorët apo me fermerët nuk kemi hasur ndonjë gjë të tillë, ndoshta ka, por dhe s’kemi kuptuar gjë”.
Në pikat e shitjes me pakicë të karburanteve janë në qarkullim 3 çmime:
Naftë e lirë (karburantet Krasniqi dhe Feleqi).
Naftë standarde (Kastrati dhe të tjerë).
Naftë e mirë ose “greke”, siç njihet, (Bolv Oil dhe Joti Oil).
Deklarimi i z. Resuli konfirmon shqetësimin e Gega Oil, që quan abuzim çmimet e ulëta në tabela. I pyetur për këtë fakt, Genc Gega tha: “Nuk e di çfarë naftë shesin, se si ia dalin që të paguajnë qiratë e pikave dhe rrogat për punonjësit. Vetëm ata dhe Zoti e dinë”.
Në Shqipëri, sipas deklarimeve të SHSHH, funksionojnë rreth 1.530 pika të shitjes me pakicë të karburanteve.
Analisti tatimor, Eduard Gjokutaj, i ALTAX, i tha INA-s se, çmimi i shitjes së naftës dhe benzinës me pakicë në Shqipëri duket se nuk ndikohet nga lëvizjet e çmimit me shumicë, edhe në kushtet kur ngarkesa fiskale vijon të jetë e njëjtë. Kështu, nëse shikojmë muajin shtator 2023, çmimi me pakicë i naftës ishte 1.93 USD në tregun shqiptar, për një çmim reference prej 85 USD/fuçi në bursën e naftës. Në qershor 2024 çmimi me pakicë i naftës është 1.93 USD në tregun shqiptar, për një çmim reference prej 77.5 USD/fuçi në bursën e naftës. Pra, nëse bëjmë një mesatare të diferencës në burimin e çmimit të furnizimit, duket se 8.5 USD është një vlerë, që duhet të ketë shpjegime të forta, ekstra-kontabël, përtej kursit të këmbimit Lek/USD , i cili është me një rënie me 8 lekë për të njëjtën periudhë krahasimi. Pra, mbi 16 lekë, që vijnë vetëm përtej këtyre dy elementeve formale të tregut, pa përfshirë ndikimin e nën-deklarimit të aktivitetit dhe evazionin në tregun e karburanteve. Këto mjaftojnë si indicie të forta risku për administratën fiskale, për të dhënë përgjigjet që vijnë për shkak të detyrës”, – analizon eksperti tatimor, Gjokutaj.
Çmimi në bursë dhe çmimi në pompë, krahasimi
Pse kemi çmime të larta të naftës në Shqipëri? Si formohet çmimi i një litrinaftë dhe çfarë ndikon në këtë çmim? Si paraqitet kjo në rajon? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, po sjellim një tabelë krahasuese me autorësi të SHSHH, dërguar edhe “Monitor”-it. I referohet çmimit të bursës PLAT’z në kohë të njëjtë për të tri shtetet!
Sikurse shihet nga krahasimi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, për një litër naftë konsumatori i Shqipërisë paguan 43 lekë për litër më shumë se konsumatori i Kosovës dhe 55 lekë më shumë për litër se sa ai i Maqedonisë së Veriut!
E gjitha është efekt i taksave, duke e bërë pikën e shitjes së karburantit një “One Stop Shop” dhe duke sjellë që qeveritë (nga viti 2005) të gjitha llojet e taksave dhe të tarifave t’i mbledhin te ky sportel.
Kemi analizuar se, në buxhetin e shtetit, nëse do të pastronim, jo vetëm taksën e qarkullimit, por të gjitha taksat pa përjashtim, Shqipëria del vendi i parë në rajon për çmimin më të ulët të karburanteve! Efekti në buxhetin e shtetit për shkak të këtij ndryshimi ishte 18.5 miliardë lekë! Shifra është bërë e njohur në dikasterin e Financave gjatë debatit për uljen e ngarkesës fiskale të karburanteve.
Nafta, çmimi dhe debati i rezervës strategjike të sigurisë
Në ligjin bazë të përpunimit, të transportit dhe të tregtimit të naftës, të vitit 1999, të ndryshuar edhe në vitet 2004, 2006, 2009 dhe 2014, ka një nen, neni nr. 9, i cili thotë:
“…Rafineritë e naftës rezervën e sigurisë deri në 50 për qind të sasisë së saj mund ta mbajnë edhe në formën e naftës bruto në rezervuarët e tyre apo në rezervuarët e shoqërive të prodhimit të naftës, me të cilat ato kanë kontrata furnizimi…”
Asnjë qeveri nuk e ka ndryshuar këtë nen. Ligji aktual nr. 8450, datë 14.02.1999 “Për përpunimin, transportimin dhe tregtimin e naftës, të gazit dhe nënprodukteve të tyre”, i ndryshuar, i cili trajton aktualisht çështjet e rezervës së sigurisë, nuk është në përputhje të plotë me Direktivën 2009/119/EC. Ligji aktual e vendos të gjithë detyrimin e mbajtjes së rezervës së sigurisë tek industria (shoqëritë e tregtimit me shumicë dhe rafineritë).
Në shkurt të vitit 2019 qeveria dështoi që të miratonte ligjin e ri “Për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe të nënprodukteve të saj”
Por pyetja ngrihet: pse këmbëngulim në këtë tregues? Sepse shoqëritë e tregtimit me shumicë të hidrokarbureve, në të gjitha rastet kur iu kërkohet të shpjegojnë se përse, ndërsa çmimet në bursë ulen, nuk e reflektojnë këtë ulje në tregun e pakicës, arsyeja, sipas tyre, është “rezerva” e sigurisë, e cila është aty për 90 ditë dhe çmimet e naftës nuk mund të ndryshojnë, derisa të kalojë kjo periudhë (ligji i ri e caktonte vetëm 50 ditë) dhe të sigurohet furnizimi i ri!
Ekspertët e tregut të naftës nuk e barazojnë ekzistencën e depozitave të tilla me funksionin e tyre për t`i amortizuar apo për t`i zbutur çmimet në periudha krize. Sipas disave prej tyre, që pranuan të flasin për INA-n në kushte konfidencialiteti, këto rezerva janë strategjike, pra që nevojiten të futen në përdorim, jo për të “zbutur” çmimet, por për të përballuar mungesa të jashtëzakonshme në treg, situata lufte apo të ngjashme etj. Këto rezerva nuk kontrollohen dhe nuk raportohen, sa janë!
Me gjithë kritikat e vazhdueshme të Sekretariatit të Energjisë në Vjenë për mënyrën e ruajtjes dhe për mënyrën e llogaritjes së rezervës, (dhe mbikëqyrjes së saj), qeveria aktuale nuk ka reflektuar.
Kriza, qeveria dhe “kontrolli” i çmimit të naftës
Rritja e menjëhershme e çmimeve të naftës, ulja e ngadaltë, edhe kur bursat e hidrokarbureve kanë shënuar tatëpjetën e çmimit, mungesa e kontrollit nga ana e autoriteteve, analiza jo e duhur e Autoritetit të Konkurrencës, e bëjnë tregun e hidrokarbureve një treg ende të parregulluar. Madje, në ndryshim nga shumë vende, Shqipëria nuk ka ende një Ent Rregullator për Hidrokarburet. Ministria përgjegjëse e Energjisë thotë që këtë e bën Enti Rregullator i Energjisë.
Në pesë muajt e parë të këtij viti çmimi i naftës në Bursën e Mesdheut (nga e cila kuotohet Shqipëria), është ulur nga 810 USD/ton, në 764 USD/ton. Dollari, me të cilin blihet nafta, ka rënë me disa pikë përqindjeje. Konsumi është rritur me 16 tonë (nga 240 tonë në 256 tonë).
Çmimi vijon i pandryshuar! Nuk kanë ndryshuar as taksat e as tarifat! Shqipëria do të konsumojë rreth 800 milionë litra karburant, qeveria do të arkëtojë miliona lekë TVSH+Akcizë!
Shoferët do të paguajnë, aq sa e caktojnë “grosistët” e mëdhenj, në një treg ku 62 për qind të shitjes me shumicë e ka një kompani e vetme dhe shitjen me pakicë, në 67 për qind të tregut, e ka po një kompani e vetme! Qeveria thotë se nuk ka barriera për të hyrë në këtë treg dhe se nuk do të ketë asnjë ndryshim taksash dhe tarifash! Autoriteti i Konkurrencës këmbëngul që nuk ka vendosje horizontale dhe vertikale të çmimeve!
Për një gjë nuk flasin palët: Pse nuk ka një Ent Rregullator të tregut të Hidrokarbureve?
/INA MEDIA