Lidhjet e biznesit të ish-zyrtarëve me institucionet e tjera shtetërore, janë provuar përmes një seri transaksionesh të kryera në llogaritë e tyre, duke arkëtuar miliona lekë përmes shërbimeve të kryera në forma nepotike.
Transaksione që mbajnë shifra të ndryshme janë kryer në kompaninë “5D Konstruksion”, të Redi Mollës, Taulant Tushës dhe Mariglen Qatos.
Ndërsa kalimi i parave publike ka vijuar në fillim të vitit edhe për biznesin e ish-drejtorit të shitjeve në UKT, Elvin Tivari.
Ora shkruan se ka zbuluar se vetëm përmes një transaksioni financiar “Hotel La Brisa”, në pronësi të ish-drejtorit të shitjeve në UKT, Elvin Tivarit dhe Fatos Malaj, vëllait të kryetarit të Bashkisë Mat, Agron Malaj, ka fituar në fillim të vitit 83 milion e 900 mijë lekë të vjetra.
Kjo faturë është prerë nga subjekti “La Brisa” në 25 shtator 2023, ndërsa është ekzekutuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në 9 janar 2024.
Fatura është me TVSH mbi mallrat dhe shërbimet brenda vendit. Ndërsa mendohet se pikërisht ambientet e hotelit të Elvin Tivarit janë shfrytëzuar nga administrata e Tatimeve për, trajnime, seminare dhe pushime gjatë sezonit të verës së vitit 2023.
Kjo shumë prej 83 milion e 900 mijë lekë të vjetra tashmë është arkëtuar në llogaritë e subjektit “La Brisa”.
Nga ana tjetër SPAK prej disa muajsh ka nisur hetim për zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Bashkisë së Tiranës, të cilët nga drejtorë të thjeshtë shumë shpejt kaluan në investitorë strategjik dhe krijuan biznese të suksesshme duke shfrytëzuar korrupsionin përmes parave publike.