Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e ndodhur mbrëmjen e të dielës në Tiranë, ku u qëllua me thikë në gjoks 18-vjeçari Aurelio Dervishi. Të katër personat që janë vënë në pranga, 3 prej të cilëve të mitur, do të dalin nesër para Gjykatës së Tiranës, ku do të njihen dhe me masën e sigurisë. Ata do të akuzohen për vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim, ndërsa tashmë është zbardhur dhe dinamika e plotë e ngjarjes së rëndë. Kanë qenë vetë të rinjtë e përfshirë në konflikt ata që kanë dhënë detajet për ngjarjen e rëndë, dhe se si ka nisur përplasja mes dy grupeve që udhëtonin me makiina të ndryshme.
Një prej të miturve të arrestuar, 15-vjeç, ka pranuar autorësinë e krimit, duke thënë se ka qenë pikërisht ai që ka qëlluar me thikë Dervishin. Ndërkohë dy 16 vjecarët kanë pranuar se kanë dhunuar grupin tjetër por jo të kenë përdorur thikë, të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe 20-vjecari i arrestuar Frensis Shehu.
Në makinë së bashku me viktimën në momentin e sherrit kanë qenë dy djem dhe dy vajza të tjera.
Gjatë marrjes në pyetje ata kanë deklaruar se janë ndeshur me automjetin e autorëve pasi po bënin xhiro nëpër lagje për shkak se banesat e tyre nuk janë shumë larg.
Vajza e mitur 16-vjecare, e cila ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike, rezulton se ishte e lidhur me Frensis Shehun, mikun e autorit të vrasjes. Ajo ka deklaruar se në makinë me viktimën ishte për shkak të miqësisë që kishin dhe se e kishte në afërsi të lagjes.
Sipas dëshmisë së vajzës të dy grupet janë shkëmbyer në afërsi të Shkozës. Në një moment grupi i 4 autorëve kanë parë se në Audin me 5 persona brenda ishte edhe vajza 16 vjecare që ishte në një lidhje me 20 vjecarin. Në këtë moment sipas dëshmisë se dy vajzave ata janë ndaluar pasi autorët u kanë bërë me shenjë nga xhami. Në këtë moment ka nisur edhe konflikti fizik.
Sipas te gjithë dëshmive të marra asnjë prej tyre nuk ka pranuar se kanë pasur konflikti të mëparshme. Aurelio Dervishi ishte djal i vetëm në familjen e tij, ndërkohë që u përcoll dje për në banesën e fundit, duke lënë pas një plagë të madhe te prindërit dhe të gjithë të afërmit e tij.