Sytë e gjithë Europës do të jenë ditën e sotme në Tiranë, ku do të mbahet për herë të parë Samiti i Procesit të Berlinit. Përfaqësuesit më të rëndësishëm të Bashkimit Europian, si dhe liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të marrin sot pjesë në këtë samit, i cili për herë të parë zhvillohet jashtë kufijve të BE-së dhe organizimi i është besuar qeverisë shqiptare. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen mbërriti dje në Tiranë, ndërsa i pranishëm në samit do të jetë edhe Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Nuk mund të mungonte kancelari gjerman, Olaf Scholz, vendi i të cilit inicioi Procesin e Berlinit. Në punimet e samtit pritet të marrë pjesë edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron anuloi pjesëmarrjen, mirëpo pasdite do të jetë në Tiranë vizitën e parë zyrtare.
Ndërkohë, të pranishëm do të jenë edhe 6 përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimorë, përfshirë këtu edhe kryeministrin Ed Rama. Për herë të parë, që pas përplasjeve me Ramën, mbërrin në Tiranë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nga radhët e Serbisë pritet që të marrë pjesë kryeministrja Ana Brnabic dhe jo presidenti Aleksandër Vuçiç.
Në orën 12:00 do të nisë punimet sesionin i parë, ku do të diskutohet mbi Integrimin e Rajonit në Tregun Unik dhe Përmirësimi i Konvergjencës me BE. Në sesionin e dytë, do të diskutohet bashkëpunimi për investime në fusha të ndryshme, ndërsa në fund do të këtë një konferencë të përbashkët Rama-Scholz Von der Leyen.
Punimet e Samitit përmbyllen me inaugurimin e Kolegjit Evropian dhe qendrës Tumo, piramidës së transformuar, ku do të mbahen punimet e samitit. Samiti i Berlinit do t’i kushtojë shtetit 51 milionë lekë.
Mbi 2 mijë efektivë janë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit që mbahet ditën e sotme në Tiranë. Samiti i Procesit të Berlinit do të zhvillohet në ambientet e Piramidës së Tiranës, ku rrugët rreth saj janë të rrethuara nga policia pasi janë caktuar si perimetër sigurie.
Në to nuk do të lejohet qarkullimi i mjeteve, parkimi dhe as kalimi i këmbësorëve, përveç banorëve rezidentë. Do të jenë 1604 efektivë dhe 400 punonjës të Gardës së Republikës të angazhuar për këtë event të rëndësishëm që do të zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së