
SKANDALET e Air Albania së falimentuar! Misteret e avionëve, si “avulloi” Migjeni, të pathënat e drejtor Sinanit (II)
Air Albania është “de facto” një kompani e falimetuar tashmë, fakt i cili nuk është pranuar vetëm “de jure” nga shteti shqiptar, biznesmeni Sinan Idrizi dhe turqit e THY.
Më herët, Gazeta Korrieri raportoi duke iu referuar burimeve se kompania nuk ka dorëzuar bilancin (detyrim ligjor për çdo vit) pranë QKB që prej vitit 2019 ndërkohë që prej një kohe të gjatë tashmë është duke ezauruar edhe kapitalin e investitorëve.

Tashmë Air Albania është duke fluturuar me paratë e aksionrëve pasi të ardhurat nga biletat nuk mbulojnë kostot në asnjë mënyrë, ndërsa keqplanifikimi nga top-managementi dhe përdorimi i kompanisë dhe të ardhurave të saj për qëllime harbimesh të shefave e skllavërim të stafit mbështetës dhe jo investimesh janë guri mbi varrin e kësaj kompanie që reklamohet si krenaria e shqiptarëve.
Problemi me Air Albania nis me CEO-n turk nga Anadolli Sinan Dilek, i cili si shitës biletash avionic dikur, e njeh aviacionin ndoshta më pak se shkruesi i këtyre radhëve.

Burime bëjnë me dije se drejtori i Air Albania e ka nisur karrierën e tij duke shitur bileta avioni në një agjenci turistike në Stamboll.
Duket se kjo e dhënë në CV dhe referenca nga qarqet e errëta islamike të Stambollit kanë qenë mjaftueshëm që fillimisht ai të emërohej drejtor i Turkish Airlines në një shtet tjetër para se të vinte në Shqipëri.
Krahas kësaj, burime bëjnë me dije se drejtor Sinani ka punuar edhe në njërin prej pazareve të Stambollit ku ka mësuar edhe marifetet për të hedhur “tuç” kompani si Air Albania duke djegur edhe paratë e shqiptarëve aty. Nuk ka të dhëna nëse drejtor Sinani ka qenë shitës tezge apo ka patur ndonië rol tjetër në dyqanin ku thuhet se ka punuar.
Flota e vjetër
Në një intervistë të dhënë për mediat drejtor Sinani thotë se do të zgjerojë flotën e avionëve të Air Albania në verën e vitit 2022 dhe gjatë 2023, por kjo jo vetëm që nuk ka ndodhur, por flotës së Air Albanias i kanë hequr pa asnjë njoftim “Migjenin”, një avion Boeing 737 dhe i kanë sjellë një avion më të vjetër Airbus.
Gazeta Korrieri mëson se avioni Boeing 737 800 me kod identifikimi TC-JZG është prodhuar në vitin 2016 dhe konsiderohet ri, por ndejti në inventarin e Air Albainas vetëm pak muaj dhe më pas kaloi sërish nën logon e Turkisht Air Lines duke u zëvendësuar nga një avion Airbus A320 me moshë 15 vjeçare me kod identifikimi AZ-ZSM.
Për më tepër, ky avion që përdor tani Air Albania i quajtur “Fishta” si zëvendësues i “Migjenit” është përdorur gjatë nga një kompani low cost indiane.
Kompanitë indiane nuk kanë ndonjë historik të mirë me mirëmbajtjen e avionëve dhe çështjet e sigurisë ne ajër.
Air Albania ka gjithsej tre avionë në flotën e saj dhe avioni tjetër është një Airbus A320 me moshë 12 vjeçare si edhe një Airbus A319 me moshë më të madhe se 16 vjeç.
Të tre avionët kanë një moshë mesatare më të madhe se 14 vjeçare.
Për koherencë, konkurrentët e Air Albania në Tiranë kanë avionë shumë më të rinj në moshë dhe një moshë mesatare më të re të të gjithë flotës.
Duhet theksuar se të kesh një flotë me avionë 15-16 vjeçare nuk është ndonjë problem i madh, por kushti themelor është se kompania duhet të tregohet shumë rigoroze në mirëmbajtje.
Lufthansa për shembull ka në flotë edhe avionë të prodhuar në vitin 1996, por kushdo mund të krahasojë vetë rigorizitetin e gjermanëve dhe nivelin e korrupsionit dhe neglizhencës së turqve ku bëhet mirëmbajtja e avionëve të Air Albania.
Ku është “Migjeni”?
Avioni i dikurshëm i Air Albania, një Boeing 737 800, i njohur “Migjeni” që krenoheshim dikur, tani fluturon sërish nën flamurin dhe logon e Turkish Airlines. Në momentin që po shkruheshin këto radhë, ish-“Migjeni” po kryente një fluturim nga qyteti veri i Turqisë Trabzon.
Përveç moshës së re, avionët Boeing 737-800 konsiderohen si avionët më të sigurt në botë pasi kanë një incidencë shumë të ulët të aksidenteve ajrore krahasuar me të tjerët.
Edhe Airbus A320 që ka tani në përdorim Air Albania konsiderohen avionë të sigurt, por problemi mbetet pikërisht mirëmbajtja kur bëhet fjalë për situatat kanë shumë vite që fluturojnë, siç është rasti i tre avionëve të Air Albanias.
Gazeta Korrieri do të vijojë në serinë e III të investigimit për Air Albania duke zbuluar të pathënat e top-menaxhmentit të Air Albanias që çoi kompaninë drejt falimentit, referuar edhe denoncimeve nga stafi i brendshëm. Po ashtu, në vijim do të mësoni detaje se si drejtori i Air Albania Sinan Dilek bën thirrje në Facebook për prerje kokash, qasje të cilat nuk kanë të bëjnë me vendin tonë e aq më pak me Europën, por me vende si Siria e Afganistani. /Gazeta Korrieri
VIJON..