Policia ka reaguar lidhur me shpërthimin e fuqishëm që tronditi banorët mbrëmjen e kaluar në zonën e pallateve të reja pranë fabrikës së porcelanit. Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 23:45 të datës 21 dhjetor 2024, në rrugën “Sadik Petrela”, është raportuar një zhurmë e fortë, e ngjashme me një shpërthim, në një banesë të katit të nëntë ku jetonte shtetasja E.A.
Shërbimet e policisë mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe hapën me forcë derën e apartamentit, pasi aty nuk ndodhej askush. Në ballkonin e banesës u konstatuan dëmtime në xhamat dhe vetratat e dritares, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga një lëndë plasëse.
Aktualisht, grupi hetimor po punon nën drejtimin e Prokurorisë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të identifikuar autorin ose autorët e këtij akti. Banorët e zonës mbeten të shqetësuar, ndërsa policia vazhdon hetimet për të garantuar sigurinë në lagje.
Ky incident ka ngjallur frikë te komuniteti dhe ka shtuar kërkesat për rritjen e masave të sigurisë. Portali ynë do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri./korrieri