Biznesmenët (!) e FRESSH, Artur Micko dhe Eljo Hysko bëhen miliarderë pasi i shërbyen partisë, shfaqet sërish dora e Marin Gjonaj
Të jesh pjesë e rrethit të personave pjesë e PS është një përfitim i madh politik dhe sidomos ekonomik. Gjatë dekadës së fundit kemi parë uje të shkëlqejnë në biznes, diplomaci apo karrierë jo për shkak të aftësive të tyre, por për shkak të lidhjeve me pushtetin.
Gazeta Korrieri ka denoncuar vazhdimisht lidhjet e forta mes pushtetit, biznesit dhe botës së krimit.
Pak ditë më parë, raportuam në lidhje me shpalljen e Turjan Hyskos Investitor Strategjik, pasi Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar në mbledhjen e tij të fundit statusin “Investitor Strategjik, Proçedurë e Veçantë” për projektin e investimit Atara Resort & Villas. Sa për informacion.
Kompanitë zhvilluese të këtij projekti janë Lukova Bayside Hotel & SPA shpk si dhe TO 27 Construction. Kompania e parë zotërohet nga dy aksionerë. Hekuran Brahimaj, ish kryetari socialist i Bashkisë së Vorës zotëron 65 të aksioneve, ndërsa pjesa tjetër prej 35 për qind e aksioneve zotërohet nga Turjan Hysko, vëllai i ish deputetit socialist dhe kryetar i FRESSH, Eljo Hysko. Kompania e dytë, TO 27 Construction zotërohen në masën 100 për qind nga Turjan Hysko, të cilin publiku e njeh si moderator në ekranet e televizioneve. Duket qartë se Turjani përfaqëson interesat e vëllait të tij, funksionar i lartë i FRESSH, i cili qeraset nga qeveria me hapësira të pamata toke publike për të zhvilluar një biznes privat duke mos paguar “asnjë cent”.
Kompanitë do të investojnë 50 milion euro në këtë projekt, ndërsa rezulton nga bilancet që aktualisht s’kanë “kokërr leku”. Të dy kompanitë zhvilluese të projektit janë pa aktivitet ekonomik dhe pa mjete financiare. Kompania e parë ka një kapital total prej vetëm 355 mijë eurosh, ndërsa e dyta rezulton me kapital negativ prej 870 eurosh, shkruan gazetajone.
Qartazi këto janë dy kompani që nuk i kanë mundësitë financiare për të realizuar një investim në masën 50 milionë euro, por karta që vlen kudo për ta është që përfaqësojnë interesat e Eljo Hyskos se PS dhe FRESSH-it.
Eljo Hysko mori drejtimin e FRESSH në vitin 2016, ndërsa më pas kaloi një stad me lartë, si deputet i PS.
Artur Micko, ortak me Marin Gjonajn në tregti energjie dhe prodhim kriptomonedhash dhe një aksion policie
Nga ana tjetër, karta e FRESSH duket se ka bërë miliarder edhe një tjetër ish-zyrtar të kësaj organizate që bëri miliarder edhe Metën e Kryemadhin, ku njëri është i arrestuar dhe tjetra nën masë sigurie, ai është Artur Micko, i njohur nëpër dokumente zyrtare edhe si Artur Mickaj (!) për arsye ende të paqarta.
Micko ka qenë nënkryetar i FRESSH dhe më shumë se kjo, emri i tij u bë i njohur pasi në autobusin që ai dhe 35 studentë të tjerë të forumit rinor u kap një sasi e madhe droge nga policia turke teksa po udhëtonin nga Tirana për në Stamboll. Micko, kreu i grupit të studentëve të FRESSH që po udhëtonin për në Stamboll, mohoi akuzat atëhere duke dhënë dhe sqarime për sasinë e drogës së kapur në autobusin e tyre.
Dielli i Mickos do të niste të shkëlqente me të atin në sistemin gjyqësor dhe me lidhjet e duhura fill pasi të shkëputej nga FRESSH, ku në shtator 2018 krijon kompaninë ENER Trade, e cila merret me tregtinë e energjisë elektrike. Në 2019 kompanisë i shtohet edhe Marin Gjonaj, një personazh që sipas raportimeve të Korrierit, është shfaqur në dosjen e SPAK për Ilir Metën. Emri i Gjonajt përmendet pak ose aspaak nga mediat, madje shumë lajme për të janë fshirë me kohë.
Micko dhe Gjonaj kanë një marrëdhënie të çuditshme biznesi, e cila vlen të trajtohet një moment tjetër.
Gjatë viteve 2021-2023 Ener Trade siguron miliona euro fitime nga tregtimi i energjisë elektrike, ku vazhdimisht ka patur akuza në media në lidhje me çmimet e aplikuara, të cilat rëndojnë ndjeshëm bilancin e KESH. Përgjatë kësaj periudhe, kompani të ndryshme si EFT, GSA, Tirana International Development, Info Telecom, Ener Trade dhe Noa Energy shitën energjinë e KESH duke siguruar në total dhjetëra milion euro fitim.
Vetëm në vitet 2021- 2022, Ener Trade ku Micko ka gjysmën e aksioneve fitoi 24 milion euro nga këto transaksione, ndërsa në vitin 2023 deklaroi më shumë se 2 milion euro fitim.
Problemi sipas ekspertëve në këtë mes lidhet me KESH-in, i cili nuk doli vetë në treg por përdori kompani si ato të mësipërmet, përfshi edhe kompaninë e Mickos si sekser duke i transferuar atyre miliona euro fitime vetëm se operuan si “middle man” dhe asgjë më shumë.
Në emër të ish-nënkryetarit të FRESSH rezultojnë katër kompani, ku në tre prej tyre ka ndarë aksionet me një tjetër biznesmen, kurse kompaninë e katërt e ka të gjithën të veten.
I gjithë aktiviteti i Mickos është i fokusuar në tregtimin/ prodhimin e energjisë elektrike dhe çuditërisht në prodhimin e kriptomonedhave, siç është kompania Crypto World3.
Prodhimi i kriptomonedhave është një aktivitet iparregulluar me ligj në Shqipëri dhe herë pas here policia ka gjetur arsye për të kryer aksione duke shpallur biznesmenë të njohur në kërkim apo duke sekuestruar laboratorë të kompanisë Crypto World2 në pronësi të Marin Gjonajt, i cili u shpall edhe në kërkim nga policia.