MISTERI/ Portalet fshijnë papritur shkrimet denoncuese për bosin e Gjonaj Group , Marin Gjonaj , çfarë zbuloi Gazeta Korrieri
Emri i biznesmenit Marin Gjonaj ka filluar të lakohet ndjeshëm gjatë muajve të fundit në mediat shqiptare. Sigurisht, jo për mirë.
Gjonaj është cilësuar nga mediat si “sekseri i energjisë” pasi ka përfituar shuma kolosale nga fondet publike duke i shitur KESH-it energji elektrike me çmime të frikshme, ndërkohë që populli kërcënohej për mungesë dritash në mes të dimrit 2022.
Por tani Gjonaj po njihet edhe si Mr.Error 404.
Emri i tij u lakua me gërma të kuqe dhe me thirrje për hetime nga SPAK kur bleu me qindarka tokën e ARMO-s, rafinerisë së ndërtuar me mund e me djersë, të cilën e vodhën të gjithë nga pak dhe në fund, ishte radha e Marin Gjonajt t’i vinte kapakun duke rrjepur lëkurën e fundit të asaj pasurie publike.
Korrieri raportoi atëhere, ndërkohë që më pas, ndërkohë që po kërkonim për një shkrim tjetër investigativ, vërejtëm se shkrimet mbi Marin Gjonajn ishin zhdukur si me magji.
Portale të njohura kanë zhdukur shkrimet mbi këtë biznesmen që herë shfaqet në energji e herë ne “bodrumet” e Bitcoin duke u shpallur në kërkim nga policia shqiptare në fillim të vitit 2022.
Rezulton se Joq Albania ka fshirë shkrimin me titull “Sulltani i Bitcoin…”, ku Marin Gjonaj denoncohej si personi që fshijej pas operacionit të dyshimtë të blerjes për qindarka të tokës së e ish-ARMOs.
Shqiptarja.com ka hequr emrin e Gjonajt nga shkrimi për sekuestrimin e fermës së Bitcoin duke lënë vetëm inicialet, ndërkohë që me parë ishte edhe emri i tij dhe Thoma Zbogos.
Shkrimi te Shqiptarja është publikuar para një viti, por siç zbulon Gazeta Korrieri, aty është ndërhyrë sëfundmi në 6dhjetor 2023 për të fshirë të gjitha gjurmët mbi Marin Gjonajn. Një shkrim i ngjashëm është fshirë edhe nga Gazeta Jonë.
Tek kjo medie nuk dalin më edhe shkrimet mbi shpalljen në kërkim të Marin Gjonajt. Portali Lupa.al ka fshirë shkrimin ku Marin Gjonaj ishte shpallur në kërkim nga policia pas kapjes së dy laboratorëve të Bitcoin në Durrës.
Gazeta Korrieri nuk arriti të zbulojë nëse shkrimet janë fshirë pas presionit apo ndonjë formë tjetër “bindjeje” që përdorin biznesmenët e kapur në cep nga mediat, por kjo është një praktikë e dyshimtë për aq kohë sa përmbajtjet janë fshirë në të njëjtën kohë. /Gazeta Korrieri