
Veliaj me celular në qeli, a po e saboton SPAK-un kreu i Burgjeve Klevis Qose ? Kujt i shërben Qose, ligjit apo të arrestuarve për korrupsion?
Erion Veliaj vijoi edhe sot kërcënimet dhe fyerjet ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado, duke dhënë një mesazh edhe për dëshmitarët e tjerë. Veliaj përdori fjalët më fyese ndaj Dados, ndërkohë që një ditë më parë pretendoi se prokurori e kishte quajtur “ndyrësirë”, një gjë që u hodh poshtë nga SPAK dhe GJKKO.
Të gjitha reagimet Veliaj i bën në Facebook, duke treguar se ka kontakte të vazhdueshme me botën e jashtme, ndërkohë që pretendon se vijon të ndjekë edhe punët e Bashkisë së Tiranës.

Por Veliaj ndodhet në burgun e Durrësit dhe sipas ligjit, të burgosurve nuk u lejohet të kenë mjete elektronike që mundësojnë komunikimin me jashtë.
Pavarësisht kësaj, ai publikon dy statuse në ditë me mllef dhe kërcënime ndaj prokurorëve të SPAK.
Në këtë rast shtrohen pyetjet: Veliajt i është lejuar celulari në burg? A di gjë drejtori i Burgjeve, Klevis Qose, për këtë? Nëse nuk di, a nuk i bën përshtypje fakti që një i burgosur po fyen dhe kërcënon një prokuror nga qelia duke përdorur me gjasë një celular apo një kompjuter të lidhur me internet?
A po saboton Klevis Qose SPAK-un dhe drejtësinë duke mbyllur njërin sy ndaj Veliajt dhe të tjerëve? A duhet të verifikojë SPAK rolin e Klevis Qoses dhe marrëdhënien e tij me Veliajn? Kujt i shërben ky njeri, ligjit apo të arrestuarve nga SPAK-u për korrupion? /korrieri