Plaurent Dervishaj ka dalë sërish para Gjykatës së Posaçme, për t’u njohur me një tjerër masë sigurie, pasi dyshohet si i përfshirë në vrasjen e Klodian Saliut. Për këtë ngjarje ndaj Dervishajt është dhënë një masë sigurie ‘arrest me burg’ në mungesë.
Pavarësisht kërkesës së mbrojtjes, GJKKO ka dhënë një tjetër masë sigurie arrest me burg për Dervishajn, i cili tha në seancë se deportimi i tij nga Dubai drejt Shqipërisë është një rrëmbim personi. Dervishaj pretendoi se nuk ka asnjë lidhje me vrasjet për të cilat akuzohet, dhe se autoritetet në Dubai i kanë thënë se i rrezikohej jeta nga një atentat që po përgatitej kundër tij.
“Në datën 6 Gusht më kanë ardhur në shtëpi dhe më kanë thyer derën Forcat Speciale të Dubait. Sjellja ime nga Dubai është rrëmbim personi, nuk kam lidhje me vrasjet për të cilat më akuzojnë. Forcat speciale të Dubait më thanë që më rrezikohet jeta nga një atentat. Më mbajtën 10 ditë në polici në Dubai dhe nuk më lejuan të flas me avokatin”, është shprehur Dervishaj në seancë.
Ndërkohë që gjatë ditës së djeshme, Dervishaj dhe Julian Meçaj, u njohën me masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për atentatin e organizuar kundër prokurorit Arjan Ndoja, ku mbeti i vrarë shoferi i tij Andi Maloku.
Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçaj u sollën nga Dubai dy ditë më parë për t’u gjykuar në Shqipëri, ndërkohë që mbajnë mbi supe një akuza të rënda për aktivitet kriminal të nisur që në fillim të viteve 2000.
Vetë Dervishaj dhe Meçaj pretendojnë se kanë ardhur me dëshirën e tyre në Shqipëri, për t’u përballur me drejtësinë. Edhe pse sipas burimeveve për mediat, të dy ata janë deportuar me urgjencë nga Dubai, pasi janë denoncuar në polici, se kanë tentuar që të vrasin një shtetas të huaj.