President i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është bashkuar sot protestës së banorëve të Roskovecit, të cilët janë ngritur kundër ndërtimit të një termocentrali që do rrezikon të ndotë zonën.
Ilir Meta bëri një deklaratë të fortë, kur tha se banorët duhet të mbronin jetesën e tyre, qoftë edhe me armë.
Teksa mori varenë dhe goditi një prej piketave të vendosura, të cilin e quajti termocentral kriminal, Meta bëri thirrje për mobilizim për moslejimin e ndërtimit të TEC-it.
“Edhe armët duhen marrë. Mua këtu më keni me kallash në dorë. Nuk më dridhet dora fare. Mobilizoni edhe njerëzit që keni jashtë. Vetëm huri i ndan punët me këta”, tha ai.
“Nuk ka nevojë as kjo zonë dhe as Fieri për të bërë një termocentral kriminal, për llogari të Edi Ramës dhe Engjëll Agaçit, me gjoja letrat e firmës greke, por ka nevojë për të bërë zonë të lirë industriale atje, buzë detit në Fier që të punojnë të rinjtë e të rejat e Fierit.
Qëllimi është shkatërrimi i bujqësisë dhe blegtorisë, largimi juaj prej këtu, që Shqipëria të kthehet në një gropë të madhe termocentralesh kriminale e inceneratorësh që të vjedhin pafund. Qëndresë heroike, edhe këto piketat që kanë vendosur këtu, ku është vareja, merrni çdo mjet kundër këtyre maskarenjve, kundër këtyre pushtuesve”, tha Ilir Meta.
Presidenti i Partisë së Lirisë, u shfaq mjaft i irrituar pasi u mor në pyetje dy ditë më parë nga Prokuroria e Posaçme, në lidhje me pasurinë e tij. Meta ka lëshuar së fundmi akuza të forta kundër kreut të SPAK, Altin Dumani duke e cilësuar atë një mashë në dorë të kryeministrit Rama.