Gazeta Korrieri zbulon se biznesmeni Adrian Bardhi ka shitur 30% të aksioneve të tij te Dinamo City tek Orest Sota duke ndarë në tresh pronësinë e klubit ku aksioner është dhe Ergys Agasi. Sota dhe Agasi bëhen bashkë edhe në sport, ndërsa ky i fundit është në syrin e ciklonit të akuzave për lidhje me grupet kriminale në vend, sipas ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj
Klubi Dinamo do të ketë tashmë tre pronarë nga dy që ishin deri në fund të këtij sezoni. Siç konfirmohet edhe nga dokumentet e siguruara nga Gazeta Korrieri, biznesmeni Adrian Bardhi ka shitur një pjesë të aksioneve të tij që ka te Dinamo te biznesmeni Orest Sota. Kështu, nga 70% që kishte deri më tani, Bardhi ruan maxhorancën e aksioneve duke mbajtur 40% të tyre, ndërsa pjesa tjetër i kalon Orest Sotës.
Por kush mban 30% të aksioneve te Dinamo City të cilat nuk ndryshuan duke bërë që transaksioni të zhvillohet vetëm ndërmjet Bardhit dhe Sotës? Pronari i 30% të aksioneve të mbetur atë Dinamos është Ergys Agasi, një emër mjaft i përfolur gjatë javëve të fundit pas publikimit të investigimit të Rai3, ku ai portretizohej nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj si “koordinatori i grupeve kriminale dhe që mban lidhje me kryeministrin Rama”.
Kështu, pas futjes së Orest Sotës edhe në sport, aksionet te Dinamo janë ndarë: 40% i ruan Adrian Bardhi; 30% Ergys Agasi dhe 30% që i merr rishtaz Orest Sota.
Marrëveshja është nënshkruar në fillim të muajit maj dhe sipas kontratës Orest Sota i ka paguar Bardhit 22 milion lekë të reja për pjesën e tij. Bardhi e bleu në vitin 2021 Dinamon.
Adrian Bardhi është një biznesmen i njohur në Durrës, kryesisht në fushën e importimit dhe shpërndarjes së kafesë dhe restoranteve, ndërkohë Agasi është i fokusuar kryesisht në industrinë e duhanit dhe të logjistikës, por investigimi i fundit kanë hedhur mjaft hije dyshimi ndaj tij për lidhje me grupe të caktuara në Durrës, të paktën sipas deklaratave të Ahmetajt dhe Berishës. Deri më tani nuk ka ndonjë hetim për Agasin.
Ergys Agasi, Orest Sota dhe lidhja mes të treve
Kjo duket të jetë lidhja e vetme e dokumentuar dhe publike mes Ergys Agasit dhe Orest Sotës, ndërkohë që në shtyp ata portretizohen si persona që bashkëpunojnë në sektorin e ndërtimit duke kanalizuar në kulla të ndryshme paratë me origjinë të dyshimtë. Fillimisht ishte shtypi pranë Berishës që raportuan mbi lidhjen me Orest Sotës dhe Ergys Agasit, ndërkohë që më pas do të ishte ish-kryeministri që do të dilte hapur me akuza ndaj këtij të fundit.
Berisha e përshkruan Agasin si personin që bën emërimet dhe kontrollon punën ne Portin e Durrësit, Kadastër dhe drejtori të tjera të rendësishme në vend, por akuzat më të forta ndaj Agasit i bëri ish-kryeministri Arben Ahmetaj i cili tha se ai “bënte koordinimin mes grupeve mafioze në vend“.
Ndërkohë, gazetarja Klodiana Lala tha se Agasi kishte futur në poste kyçe në administratë të gjithë njerëzit pranë tij. Agasi vetë mohoi akuzat e Ahmetajt, po ashtu edhe Rama duke thënë se gjithçka ishte thënë nuk kishte të bënte me të vërtetën.
“Bombat” e Ahmetajt
Dalja në skenë e Arben Ahmetajt erdhi pikërisht duke vënë para shqiptarëve pikërisht fytyrën e Ergys Agasit dhe nëpërmjet tij, edhe të partnerit të tij në biznes dhe politikë, Orest Sota.
Ahmetaj, përmes asaj video përgjimi (ose ashtu u duk) bëri një portretizim edhe me konçiz për Ergys Agasin duke e cilësuar si “koordinatorin e Ramës me grupet mafioze”. Ahmetaj theksonte se Ergys Agasi ishte personi që bënte koordinimin mes grupeve të caktuara kriminale dhe politikës në Tiranë.
Ndër të tjera, Ahmetaj tha edhe se Rama ishte takuar në zyrën e tij me përfaqësues të klaneve të Meksikës, port ë gjitha këto akuza u hodhën poshtë nga Kryeministri, ndërkohë që nga ana tjetër, Agasi po ashtu mohoi gjithçka duke thënë për mediat se “nuk komentonte deklaratat e një të arratisuri të drejtësisë”, siç ishte Ahmetaj.