Metamorfoza Ergys Agasi nga Meta te Rama, “bombat” e Ahmetajt dhe personazhi Orest Sota
Nga Korrieri
Ergys Agasi filloi që të qarkullonte në media aty nga viti 2015-2016 kur Rama qeveriste me Metën. Ai u emërua në krye të Inspektoratit të Mjedisit kur ministria drejtohej nga Lefter Koka, një ndër personat e besuar të Metës në atë kohë dhe që kishte nën kontroll Durrësin. Por gjërat rrodhën shumë shpejt.
Rama u prish me Metën. Koka zgjodhi Ramën, ndërkohë që Kryemadhi paditi Kokën në SPAK për inceneratorët. Koka hyri në burg, kurse Agasit iu desh të zgjidhet. Ai zgjodhi Ramën duke i hapur vetes në autostradë të madhe pushteti dhe kontaktesh mbi dhe të nëndheshme, por gjithnjë jashtë vëmendjes së medias edhe pse herë pas here biznesmenë të ndryshëm do të ankoheshin për rolin e tij të ri, shumë larg nga Mjedisi tashmë.
Rikthimi në skenë
Ergys Agasi do të rikthehej në skenë aty nga shkurti-marsi i këtij viti fillimisht duke u shigjetuar nga portale të djathta dhe më pas përmes rrjeteve sociale të Sali Berishës. Atëhere Korrieri i kushtoi disa shkrime këtij rikthimi në skenë të Agasit, ku nga Berisha dhe portalet pranë tij, Agasi portretizohej si personi që bënte lidhjen mes grupeve kriminale dhe politikës në Tiranë. Në skenë doli edhe Orest Sota, I cili po ashtu pati Metamorfozën e tij duke kaluar nga i besuari i Tahirit fillimisht te i besuari i Veliajt, pse jo edhe disa politikanëve në opozitë duke qenë “njeriu i të gjithëve”.
Korrieri shkruajti atëhere se Agasi dhe Sota, nëse akuzat qendrojnë, duhet që të gjykohen nga drejtësia dhe jo nga politika.
Ergys Agasi dhe Orest Sota sipas shkrimeve të atëhershme kanë dorë në disa kulla të mëdha në Tiranë duke koordinuar punët me politikën dhe krimin.
“Bombat” e Ahmetajt
Dalja në skenë e Arben Ahmetajt erdhi pikërisht duke vënë para shqiptarëve pikërisht fytyrën e Ergys Agasit dhe nëpërmjet tij, edhe të partnerit të tij në biznes dhe politikë, Orest Sota.
Ahmetaj, përmes asaj video përgjimi (ose ashtu u duk) bëri një portretizim edhe me konçiz për Ergys Agasin duke e cilësuar si “koordinatorin e Ramës me grupet mafioze”. Ahmetaj theksonte se Ergys Agasi ishte personi që bënte koordinimin mes grupeve të caktuara kriminale dhe politikës në Tiranë.
Ndër të tjera, Ahmetaj tha edhe se Rama ishte takuar në zyrën e tij me përfaqësues të klaneve të Meksikës, port ë gjitha këto akuza u hodhën poshtë nga Kryeministri, ndërkohë që nga ana tjetër, Agasi po ashtu mohoi gjithçka duke thënë për mediat se “nuk komentonte deklaratat e një të arratisuri të drejtësisë”, siç ishte Ahmetaj.
Punësimet në shtet, darka mafia-politikë dhe kontrolli në port e Kadastër
Dy ditë pas Ahmetajt, Agasi do të ridilte në skenë. Kësaj radhe, gazetarja e kronikës Klodiana Lala do të shprehej përmes disa statuseve në rrjetet sociale se Agasi ishte personi që koordinonte emërimet në Kadastër dhe disa institucione në Durrës. Sipas saj, ai kishte punësuar aty familjarë të tij duke kapur postet kyçe. /korrieri