Policia bën të ditur se ka vënë në pranga në Durrës një person të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në pranga është vënë Ermal (Fation) Skënder Dumo, 39 vjeç, i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me 6 vjet e 9 muaj burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike.
“I dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me 6 vjet e 9 muaj burgim, për pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe trafikim të lëndëve narkotike, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 39-vjeçari.
Strukturat e DVP Durrës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, për një shtetas në kërkim ndërkombëtar që fshihej në qytetin e Durrësit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Member”, për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi.
Gjatë operacionit, është kapur nga shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, shtetasi Ermal (Fation) Skender Dumo, 39 vjeç, banues në Durrës.
Gjykata e Apelit në Trento, Itali, e ka dënuar këtë shtetas, me 6 vjet e 9 muaj burgim, për veprat penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Në vijim të veprimeve procedurale, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve u bë arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi, me qëllim ekstradimin e tij drejt Italisë. Procedurat për ekstradimin e tij do të kryhen nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën”, njofton policia.