Ministria e Shëndetësisë duhet të llogarisë dhe t’i faturojë me urgjencë të gjitha shpenzimet për energjinë elektrike kompanisë koncesionare Saniservice. Janë miliona euro fatura, të cilat duhet të paguheshin nga kompania koncesionare, por që janë paguar padrejtësisht nga shteti shqiptar.
Gjithçka lidhet me energjinë për të ashtuquajtura qendra back-up të prodhimit. Kontrata koncesionare parashikonte se proceset e prodhimit të sterilizimit të instrumentave kirurgjikalë do të zhvilloheshin në qendrën e Sterilizimit në QSUT dhe më pak do të shpërndaheshin drejt spitaleve të tjera të vendit. Në QSUT, kontrata e parashikon qartë se shpenzimet për energjinë dhe ujin paguhen nga kompania koncesionare.
Në spitalet e tjera, përtej QSUT parashikoheshin vetëm qendra mbështetëse prodhimi, energjinë e të cilave e ka marrë përsipër shteti. Por këto qëndra parashikoheshin të funksiononin vetëm në raste emergjence. Fjala vjen në rast të bllokimit të rrugëve, apo në rastin e një tërmeti, që do ta bënte të pamundur sterilizimin e instrumentave në QSUT dhe shpërndarjen e tyre në spitalet e tjera.
Ajo që ka ndodhur gjatë zbatimit të kontratës, ka qenë se kompania është lejuar të vërë në funksion masiv qendrat e back up-it. Për shembull, instrumentat që përdoren në ndërhyrjet e Spitalit të Traumës sterilizohen po në Spitalin e Traumës. Ato në Shefqet Ndroqi dhe spitalet rajonale po ashtu.
Pra nëse kontrata parashikonte prodhim vetëm në QSUT, ministria e Shëndetësisë e ka lejuar kompaninë të prodhojë në të gjitha spitalet e tjera dhe energjia i është ngarkuar shtetit. Kjo nuk duhet të ndodhte.
Thuajse gjysma e ndërhyrjeve kirurgjikale janë kryer në spitalet e tjera përtej QSUT, që do të thotë se gjysma e shpenzimeve totale të energjisë së sterilizimit i është ngarkuar shtetit. Ministria e Shëndetësisë ka patur detyrimin, që në rastin më të parë, kur kompania i ka kthyer qendrat back-up në qendra prodhimi, ta njoftonte dhe t’i ngarkonte shpenzimet e energjisë. Por kjo nuk ka ndodhur.
Tashmë ministria e Shëndetësisë duhet të llogarisë faturën e plotë të këtyre shpenzimeve, që janë paguar padrejtësisht nga shteti dhe t’ia ngarkojë kompanisë. Nëse kompania refuzon, ministria e Shëndetësisë duhet të kërkojë kompesimin në gjykatë. Ky është dëm dhe abuzim i pastër i parave të qytetarëve. Dhe bëhet fjalë për miliona euro.