Nga Tom Doshi te Fideli, Koordinatori , Gjushi dhe “peshkaqeni” turk: Prapaskenat me bastet , kush do marrë licencat
Lobuesit për rihapjen e lojërave të fatit, njëri prej të cilëve ishte dhe Fidel Ylli, e kishin menduar të lehtë futjen në dorë të këtij tregu nëse do të arrinin të gjenin numrat në Kuvend për të miratuar ligjin.
Tashmë, ligji për rihapjen basteve ka hyrë në fuqi që prej 1 prillit, por sherri i madh mes atyrye që janë paracaktuar për marrjen e licencave duket se ka bërë që të ngecë procesi.
Me rritjen e numrit të licencave që do të jepeshin, grupi i interesit në qeveri që shtyu para procesin shpresonte që të ulte gjakrat mes kandidatëve dhe njerëzve të saj, por duket se kjo nuk qënka e lehtë, tani që në treg po futenedhe aktorë të fuqishëm nga nëntoka turke, sipas raportimeve mediatike.
Krahas Fidel Yllit dhe Armando Dukës, që ishin fytyra publike e lobistëve për të rihapur bastet sportive, pjesë e tavës që janë bërë gati për të ndarë tortën më shumë se 200 milion euro të kumarit në Shqipëri sipas raportiteve në media janë edhe Vangjush Dako; Tom Doshi; Gaz Demi; grupi tjetër i Durrësit i përfaqësuar nga një personazh i njohur sëfundmi si “Koordinatori”. Ndërkohë, në treg është shfaqur një personazh tepër i fuqishëm me bazë në Qipro dhe shtetësi turke, siç është Veysel Sahin.
Sahin njihet si “peshkaqen” i basteve sportive në Turqi, Qipron Turke dhe më gjerë për shkak të kapaciteteve të mëdha financiare që ka nga pas.
Burime bëjnë me dije se ai po lobon fortë përmes një biznesmeni me lidhje të ngushta me Turqinë dhe pranë kryeministrit të Shqipërisë për shkak edhe të disa projekteve që i ka dhënë qeveria më herët. Biznesmeni në fjalë, që po lobon për z.Sahin njihet edhe si “dora” e interesave të caktuara turke në Shqipëri.
Ndërkohë, nëpër Shqipëri dhe kryesisht në Tiranë janë hapur edhe lokalet se ku do të vendosen bastet duke mbajtur një logo me 3 numra. Lokalet në fjalë dallohen për aktivitetin e tyre dhe ka dyshime të forta se në to po zhvillohet ndërkohë aktiviteti i basteve sportive edhe pse pa lincencë ende.
Ndërkohë që vijon kacafytja për marrjen e licencave mes bosave që kanë në dorë edhe vendimarrjen e strukturave të caktuara të qeverisë, aktiviteti i paligjshëm i basteve online duket se vijon normalisht në Shqipëri nisur edhe nga arrestimet sporadike që bën policia të personave që shërbejnë si menaxherë të vegjël të aktivitetit nëpër lagje qytetesh dhe fshatra.
Deri më tani nuk ka asnjë “kokë” të arrestuar që fshihet pas këtij aktiviteti edhe pse ka dyshime të forta se “bosat” kanë ndarë qytetet ku ushtrojnë këtë aktivitet.
Gazeta Korrieri po punon mbi një dosje voluminoze mbi bastet online dhe interesat e forta që fshihen pas tyre, ndërsa sa më sipër ishte një panoramë e praspaskenave që lobingjeve që po luhen për tortën e madhe 200 e ca milion euro në vit. / Korrieri