Çfarë do ndodhë me kreditë e MCA&Final? Zbardhet plani, ripagim me këste te bankat
Qytetarët që po paguanin kreditë e tyre të prapambetura pranë Micro Credit Albania dhe Final Sha do të mund të vazhdojnë t’i paguajnë pranë bankave ku i kanë tërhequr paratë, në momentin që kanë aplikuar për kredi, ndërkohë që kërkohet ndjekja penale e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë Gent Sejko pasi lejoi kasaphanën me kreditë.
Shqiptarja.com shkruan se kjo është zgjidhja që aktualisht po diskuton Banka e Shqipërisë, pas heqjes së licencave të dy shoqërive të mikrokredive.
Aktualisht, janë afro 3500 kontrata kredish, që janë blerë të gjitha si hua të këqija pranë sektorit bankar nga MCA dhe Final, të cilat do të ristrukturohen dhe të vijojnë të paguhen nga qytetarët me këstë në bankat ku i kanë tërhequr ato.
“Micro Credit Albania” dhe “Final” tashmë nuk mund të operojnë më në Shqipëri. Pas një kalvari të gjatë denoncimesh nga ZËRI, Banka e Shqipërisë vendosi që t’u hiqte licencën, pasi akuzohen se kanë zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra si dhe u kanë bllokuar pronat e luajtshme apo të paluajtshme shumë qytetarëve që kanë pasur detyrime të pashlyera.
Vendimi i Bankës së Shqipërisë erdhi pasi Prokuroria e Tiranës lëshoi nëntë masa sigurie. Prokuroria ka dalë në përfundimin se Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, por edhe personat fizikë: Elda Ibro, Andis Gjoka, Olsi Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Cuberi, Indrit Cuberi, Alban Kote, Aldo Daka, Edmond Mato, Roland Deda, Jordisa Dervishi, Alketa Sali Goxha, Albert Geea, Kejda Seferi, Mariela Basha, Besmir Barxhani, Saimir Hajdari, Bashkim Xhafa, Florian Beqaraj, kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra.
Aktualisht në zyrat e “Micro Credit Albania” dhe “Final” janë nën kontrollin e punonjësve të Bankës së Shqipërisë.
Skema që zbërtheu prokuroria:
Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga banka ‘ProCredit’ 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro dhe përdorën një skemë shtrënguese të kredi-marrjes ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat.
Skandali me mikrokreditë:
Prej 6 muajsh, media denoncon dhe grumbullon dëshmi të viktimave që ranë pre e njoftimeve grackë për të marrë kredi në zyra mikrokredie. Këto zyra përmes njoftimeve online dhe në televizione, krijuan një perceptim të gabuar te qytetarët se ishin njësoj si bankat e tjera.
Në fakt, në realitet këto zyra japin kredi shpejt dhe me norma përtej normales. Pa asnjë filtër, këto institucione iu japin qytetarëve mikrokredi në situata që ata nuk munden dot kurrsesi ti paguajnë. Këtu nisi dhe kalvari i abuzimeve. Kreditë e këqija të mikrokredive përfshirë dhe ato të bankave iu shitën MCA.
Tashmë çështja është në duart e SPAK dhe kutia e “Pandorës” pritet të hapet. Kush i lejoi, për kë punuan këta agjentë mikrokredie dhe ku abuzuan ata, këto janë disa nga pyetjet që shtrohen sot? SPAK duhet t’i japë një përgjigje!