Batërdia me arin e zi në nën tokën shqiptare vazhdon. Kontrolli i Lartë i Shtetit në një auditim në Drejtorinë e Tatimpaguesve të Mëdhenj zbulon disa shkelje që ka konstatuar që i kanë kushtuar buxhetit të shtetit miliona lekë. Për sot po publikojmë vetëm një rast ku bëhet fjalë për naftën bruto që kalon dhe manovrat që janë përdorur duke e kaluar në shkelje të ligjit në doganë.
Konkretisht, KLSH thotë se nga auditimi u konstatua se shitja e naftës bruto me destinacion jashtë territorit te Shqipërisë është kryer nën çmimin e bursës gati 23% deri 33% më ulët. Kjo ka sjellë shmangien e pagesës së rentës minerare (taksë kombëtare) dhe gjithashtu ka ndikuar në llogaritjen e tatim fitimit për pjesën e vlerës se shitjeve dhe të ardhurave të munguara si pasojë e shitjes së naftës bruto. KLSH kërkon nga kjo drejtori të merren masat dhe milionat e lekëve që janë shmangur t’i kthehen buxhetit të shtetit.
“Nga auditimi u konstatua se shitja e mallit naftë bruto e kryer nga kompania “B.P” me destinacion jashtë territorit të Shqipërisë është kryer nën çmimin e bursës Brent të publikuar sipas buletinit Platts sipas kushtit FOB të lëvrimit dhe si pasojë rezultuan diferenca të pagesës së rentës minerare që lidhen me vlerën e mallit “naftë bruto” në deklaratat e eksportit. Vlera e eksportuar e mallit naftë bruto nga shoqëria B.LTD drejt shoqërisë “C.T S.A.U. T.C ,P DLC” me seli në Spanje rezulton nën çmimin e publikuar të Naftës Brutto Brent të publikuar nga të dhënat e çmimit PLATTS të nxjerra sipas publikimeve ditore nga komisioni AD-HOC pranë Ministrisë se Financave si dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Për transaksionet e kryera me procedura eksporti nga territori shqiptar drejt kompanisë C.T S.A.U, T.C, P.DLC me seli në Spanjë rezulton se çmimi për njësi / fuçi neto është në nivelin 23% deri 33% më ulët se çmimi i publikuar i bursës se publikuar nga Ministria e Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për mallin identik të publikuar “Nafte Bruto” të klasifikuar në kodin doganor 27090090 te N.M ne RSH. Si pasojë janë konstatuar diferenca ne pagesën e rentës minerare (taksë kombëtare) dhe në llogaritjen e tatim fitimit për pjesën e vlerës se shitjeve dhe të ardhurave të munguara si pasoje e shitjes së mallit naftë bruto jashtë territorit të RSH nën çmimin e bursës Brend.
Bazuar në çmimet e publikuara të bursës Platts u saktësua dhe u trajtua rivlerësimi i pagesës se rentës minerare, për vlerën e mallit të shitur të ri trajtuar sipas çmimit të bursës brend te rivlerësuar në procedure eksporti në shumën 1,315,284,657 lekë për të cilat nga DTM duhet të llogariten edhe detyrimet e tatimit mbi të ardhurat e rivlerësuara nga shitja duke marrë në konsideratë llojin e aktivitetit në përmbushje të përcaktimeve të ligjit Hidrokarbur në Republikën e Shqipërisë ligjit nr. 153/2020 për “Regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur renta minerare” dhe në frymën e legjislacionit tatimor ne RSH.
Si dhe rivlerësime te pagës se rentës minerare me një detyrim tatimor të taksës kombëtare të rentës minerare në shumën 131,528,466 lekë bazuar në nenin 5 të ligjit nr. 153/2020 për “Regjimin fiskal në sektorin hidrokarbur renta minerare” përcakton se sipas ligjit nr. 83/2022 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar duke shkelur parime të tregut të lirë dhe duke anashkaluar parimet e vlerësimit tatimor.
Ndërmjet Administratës Tatimore dhe Doganore është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi dhe informimi të ndërsjellët sipas shkresës nr. 12819 datë 19.06.2018 ku detyrohet Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve të marrë informacion periodik ditor pranë Drejtorisë se Përgjithshme të Doganave për të dhënat e çmimeve të aplikuara të mallrave të bursës dhe të tjera të dhëna të disponueshme si dhe të bashkëpunojnë për çështje të përbashkëta që lidhen me problematika të vjeljes dhe arkëtimit të ardhurave në Buxhetin e Shtetit” thuhet në raportin që ka siguruar gazeta.