Gazeta Korrieri
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, mori pjesë në analizat vjetore të punës së drejtorive vendore të Policisë në Elbasan dhe Korçë.
Ai vlerësoi strukturat për garantimin e rendit dhe sigurisë, duke përmendur si një arritje të veçantë faktin se gjatë vitit 2024 në qarkun e Elbasanit nuk është regjistruar asnjë vrasje, një statistikë që nuk ndodhte që nga viti 1989.
Por ky pretendim bie ndesh me realitetin. Në Elbasan, më 11 korrik 2024, Enea Thomaraj humbi jetën si pasojë e shpërthimit të një sasie të madhe tritoli në një pallat në lagjen “5 Maji”.
Ngjarja tronditi opinionin publik, pasi shënjestër e sulmit ishin motrat Nikolli, ndërsa shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha dhe la viktimë një qytetar të pafajshëm.
Pavarësisht kësaj tragjedie, Proda e ka konsideruar 2024-ën si një vit pa vrasje për Elbasanin, duke lënë jashtë analizës një nga ngjarjet më të rënda kriminale të vitit.
Ky qëndrim ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si raportohen krimet dhe si llogariten statistikat zyrtare, duke lënë të hapur debatin mbi sigurinë reale në qytet.
Gjatë analizës, Proda theksoi nevojën për forcimin e policimit në komunitet dhe përmirësimin e punës në goditjen e armëmbajtjes pa leje, trafiqeve të paligjshme dhe shpërndarjes së drogës. Megjithatë, fakti që një krim i rëndë nuk përfshihet në bilancin e Policisë ngre shqetësime mbi transparencën dhe raportimin e saktë të kriminalitetit në vend./korrieri