VLORË- Shkolla Tregtare e Vlorës, e cila u hap 121 vite me parë do të mbyllet. Tenderin për ndërtim të ri të shkollës dhe repartit të shkollës Pavarësia Vlorë, e kanë fituar BOE “ZEQILLARI” dhe “L.T.E CONSTRUCTION”. Sipas “VoxNews”, në këtë tender u caktua një vlerë prej 383 milionë lekë si fond, ndërsa oferta më e ulët u ofrua nga BOE “ARKONSTUDIO”, “ALKO IMPEX” dhe “B93 II” me vlerë 283 milionë lekë. Por tenderi u fitua nga BOE “ZEQILLARI” dhe “L.T.E CONSTRUCTION”, që ofruan një shumë prej 360 milionë, 77 milionë lekë, vlerë kjo më e lartë se oferta më e ulët.
Për herë të parë kjo shkollë u mbyll në Luftën e Dytë Botërore gjatë kohës kur Shqipëria u pushtua nga Italia dhe diktatori Musolini e ktheu atë në një kazermë ushtarake.
Sipas dokumenteve, në krye të relacionit arkitektonik shkruhet “rikonstruksion shkolla profesionale ‘Pavarësia” dhe ‘ndërtimi i Shkollës Tregtare Vlorë’”. Shkolla “Pavarësia” është e vendosur në Vlorë, ndërsa “Shkolla Tregtare” në Ujin Ftohtë. “Pavarësia” ka një sipërfaqe prej 10 mijë metra katrorë. Instuticioni ka një kapacitet prej 485 nxënës, ndërsa në të janë krijuar degë të ndryshme për të praktikuar çdo profil arsimor.
Ndërsa “Shkolla Tregtare” u ndërtua më 8 nëntor të vitit 1924. Në viitn ’47, ajo u zhvendos në Tiranë, por u kthye serish në Vlorë, sipas një dokumenti.
“U hap në Vlorë më 8 nëntor 1924, gjatë periudhës së pushimit të vendit nxënësit sabotuan çdo masë për fashistizimin e shkollës. Me krijimin e PKSH veprimtaria revolucionare në shkollë mori karakter të organizuar. 229 nxënës e nxënëse u hodhën me armë në dorë për çlirimin e atdheut. Në këto rrethana më 22 maj 1943 shkolla u mbyll. Organet e pushtimit e kthyen atë në kazermë ushtarake. 44 nxënës të saj ranë dëshmorë, ndër ta 4 heronj të popullit. Pas Çlirimit shkolla u rihap në mars 1945, në 47-ën u hap konvikti dhe dega e mbrëmjes pa shkëputje nga puna. Për një kohë të shkurtër shkolla u vendos në Tiranë, por më pas u rikthye në Vlorë. Tradita e saj vazhdohet nga shkolla e mesme ekonomike. Ka një bashkëpunim me 120 biznese të qytetit dhe të jugut, kryesisht në turizëm”, thuhet në dokumente.
Ndërsa, sipas tenderit nga Uji i Ftohtë, shkolla do të ndërtohet në Vlorë, atje ku ndodhet edhe shkolla e mesme Profesionale “Pavarësia”. “Godina shtrihet do të shtrihet në rrugën ‘Ismail Qemali’, rruga kryesore e qytetit që lidh shkollën me sheshin ‘Pavarësia’ dhe më tej me portin e Vlorë”, sipas dokumenteve.
Ndërsa, me territorin aktual që ndodhet në zonën e Ujit të Ftohtë ende nuk ka një informacion se çfarë do të bëhet.