
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha kërkoi nga foltorja e Kuvendit ngritjen e një komisioni të ri, Komisionin e të Vërtetës. Për numrin një të PD-së, në Komision të gjithë deputetët duhet që të deklarojnë nëse kanë përdorur ndonjëherë telefona të enkriptuar. Kjo, sipas Berishës, është e domosdoshme për të nxjerrë para qytetarëve shqiptarë lidhjet e politikës me krimin. Por teksa fliste ka shkëmbyer edhe batuta me socialistët në sallë.
Berisha: Telefonat e koduar janë telefonat e lidhjeve të tmerrshme të krimit. 15 mijë nga 60 të tillë në të gjithë planetin ishin në Shqipëri. Nga 15 mijë, 8 mijë janë përdorur në territorin e Shqipërisë. Nga këto 8 mijë, 73 të tillë ka pasur ndërtesa e Këshillit të Ministrave. Nuk është TikTok-u rrugaçit, është Enchrochati vrasësi dhe trafikanti. Krijimi i Komisionit të së Vërtetës është kusht i domosdoshëm. Ka patur këtu me 2 dhe 3. Damian se po flas unë… Ke pasur edhe ti. Betohu që nuk ke pasur. Mos u fsheh duke folur me të. Të krijojmë Komisionin e të Vërtetës. Nëse nuk pranonin komisionin e të vërtetës do t’i publikoj një nga një. Mos kini frikë, urdhëroni të votojmë Komisionin e të Vërtetës.