Kryeministri Edi Rama ka kryer një inspektim në laboratorin e mediave dixhitale që do të shërbejë për praktikat mësimore të studentëve të Gazetarisë dhe jo vetëm.
Përballë dy studenteve të Gazetarisë, kryeministri Rama iu është përgjigjur disa pyetjeve në lidhje me politikën, aktualitetin dhe gjithashtu edhe me stilin e të veshurit.
Rama ka treguar një episod me politikanin Pandeli Majko, kur ky i fundit i ka kërkuar që të heqë çorapet e kuqe dhe të martohet.
Pyetje: A ka një arsye të veçantë pas stilit të veçantë që ju përdorni, ngjyrat e çorapeve apo kravata?
Edi Rama: Shiko, kravata është ishulli i fundit i lirisë që më ka mbetur. Mua më kujtohet që kur unë u bëra kryetar i Partisë Socialiste dhe të nesërmen shkova në zyrë dhe Pandeli Majko ishte bërë Sekretar i Përgjithshëm dhe ne ishim kundërshtarë sepse ai u vendos kandidat nga grupi që mbështeste në atë kohë Rexhep Mejdanin që ishte në atë kohë kandidati rival i imi dhe ndërkohë nga ana jonë ishte Arta Dade që ishte kandidate dhe faktikisht 2 pozicionet i fituan 2 përfaqësues të 2 grupeve në atë Kongres dhe unë shkova tek zyra e Pandit dhe i thashë “ti ishe kundër meje, por tani ne duhet të punojmë bashkë”. Më tha “para se ta hapim këtë bisedë, shko hiq çorapet e kuqe dhe martohu”. Besoj që aty ka filluar ndryshimi. I kam, por i vesh rrallë./korrieri