Dy shqiptarë u arrestuan ditën e sotme gjatë një aksioni të policisë greke, si të akuzuar për atentatin me armë zjarri në 15 dhjetor në Athinë, ku mbeti i vrarë Irakli Davella dhe u plagos Edi Luloas alias Etmond Hysa.
Bëhet fjalë për shtetasit Jenis Tulja, 44 vjeç nga Tirana dhe Mirjan Guveli 45 vjeç nga Saranda. Ata janë arrestuar në një operacion të zhvilluar njëkohësisht në dy banesa në lagjet “Nea Smyrni” dhe “Peristeri” të Athinës, ku mësohet se është sekuestruar edhe një armë zjarri.
Jenis Tulja dhe Mirjan Guveli janë zbuluar pas këqyrjes së kamerave të sigurisë së lëvizjes së mjetit nga u qëllua me armë zjarri.
Sipas autoriteteve greke, ata nuk kanë lidhje me viktimat, çka ngre dyshimet se mund të jenë paguar nga tjetërkush për kryerjen e atentatit.
Ngjarja e rëndë ndodhi në Thrakomakedones të Athinës paraditen e 15 dhjetorit, ku nga një automjet në lëvizje u hap zjarr duke lënë të vdekur 47-vjeçarin nga Mesopotami i Finiqit, ndërkohë që mbeti i plagosur rëndë 46-vjeçari nga Puka, i cili kishte mbërritur në Greqi nga Duseldorfi i Gjermanisë, por banonte edhe në Dubai./korrieri