![](https://gazetakorrieri.com/wp-content/uploads/2025/01/IMG_9119.jpeg)
Pa u mbushur as 24 orë nga vrasja e Lulzim Vishës në Zall Mner, mëngjesin e së premtes, policia njoftoi se ka arrestuar një person si të dyshuar për atentatin dhe ka shpallur në kërkim një tjetër.
Në pranga përfundoi Eduart Lami, 37-vjeç pas dyshimeve se ka lidhje me vrasjen e 48-vjeçarit punonjës i një poste private, ndërkohë që zyrtarisht ndaj tij është ngritur akuza penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armeve të ftohta”.
Në kërkim është shpallur kushëriri i tij, Ervis Lami. Një prej emrave më të rrezikshëm të botës së krimit në vend, i dyshuar për një duzine krimesh të rënda, të ndodhura në Tiranë, Krujë, Durrës e jug të vendit.
Gazetarja Klodiana Lala raporton se arrestimi i Eduart Lamit u krye, pasi gjatë kontrollit të banesës së kushëririt të tij, Ervisit në rrugën Paqësore, Zall Mner, Kamëz, u sekuestrua një armë armë zjarri automatike me silenciator dhe municion luftarak, 15 copë fishekë luftarak, një sëpatë, një thikë, një këllëf pistolete glok. Në oborrin e banesës po ashtu u gjetën 4 gëzhoja armësh.
Arma është dërguar për ekspirtim në laborator shkencor dhe nëse rezulton se është e njëjta që u përdor në atentatin ndaj Vishës, ndaj dy kushërinjve do të ngrihet zyrtarisht akuza e vrasjes, kryer në bashkëpunim.
Dyshimet se dy djemtë e xhaxhallarëve janë autorë të dyshuar të vrasjes së 48-vjeçarit Visha, nisen nga fakti se mes Ervis Lamit dhe Lulzim Vishës, kishte përplasje të forta për një pronë.
Burimet thanë se viktima pretendonte për një sipërfaqe të madhe toke, të cilët aktualisht e posedon Lami. Konfliktet mes tyre kanë shkuar deri edhe në përplasje fizike.
Ervis Lami është një emër i njohur për policinë në vend, pasi vite me parë ai ndihmoi të dënuarin Admir Tafili që të arratisej nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Prej asaj kohe, ai dyshohet të jetë përfshirë në krime të rënda. Ndërsa vitet e fundit ka qëndruar shpesh në Dubai./korrieri