Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka rrëzuar kërkesën e Klajdi Merkaj për zëvendësim të masës së sigurisë “arrest në burg”.
Klajdi Merkaj u arrestua më 16 tetor të këtij viti, pasi akuzohet se pastronte paratë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Ndaj tij Gjykata e Posaçme ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.
Për të tre vëllezërit Astrit, Endri dhe Klajdi Merkaj, SPAK nisi një hetim pasuror. Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi masën e sekuestrimit të pasurive të Klajdit Merkaj, Arben Lamçes, Arjon Ormenaj, Manjola Hysenaj, të shoqërisë “Elba Beton”, të “Hotel Demis”, të “Ish-Vilës Gjuta” etj. Klajdi Merkaj ka pasur komunikime në aplikacionin “SkyECC” me vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja. Franc Çopja dërgonte eurot me valixhe nga Londra dhe vende të tjera të Europës, ndërsa pritës në Shqipëri rezulton të ketë qenë Klajdi Merkaj. Paratë më pas investoheshin në Shqipëri, duke ndërtuar komplekse rezidenciale dhe troje. /korrieri