Kristjan Marku është një emër i njohur në Rrëshen, kryesisht për shkak të origjinës së tij, fisit Bardhi dhe armiqësisë së betuar me familjen Reçi. Armiqësi që ka shkaktuar viktima të shumta dhe një sagë vrasjesh që vazhdon sot e kësaj dite. Kundërshtarët, dyshonin se i ndjeri ishte aktiv në planet hakmarrëse ndaj fiseve rivale. 30-vjeçari kishte krijuar jetën e tij familjare. Jetonte me partneren në Tiranë. Ishte baba i një fëmije të mitur.
Megjithatë, ka informacione se i riu kishte miqësi dhe me elementë të përmendur të botës së krimit.
Pas krimit, prokuroria e Vlorës mori kontakt me organin e akuzës në Mirditë, duke shkëmbyer informacion në kohë reale. Ka informacione se në Vlorë, ai kishte miqësi me Inez Hajrullën, një prej të fortëve të zonës që trashëgon drejtimin e grupit të Edison Harizajt. I forti i Vlorës i ekzekutuar në Durrës në vitin 2018. Vetë Hajrulla i ka shpëtuar disa atentateve. Në një rast, një sasi eksplozivi shpërtheu në mjetin me të cilin udhëtonte, duke e lënë invalid.
‘Krimi bashkëpunon, ka ndërlidhje ndërmjet tyre. Në momentin kur cënohen interes të caktuara ndërmjet anëtarëve të grupeve kriminale automatikisht prishja e këtyre raporteve sjell pastaj armiqësi ndërmjet palëve’ u shpreh Alfred Bari, avokat.
‘Realisht teoria e grupit kriminal, nënkupton faktin se duke qenë një formë e lartë bashkëpunimi, nuk krijohet vetëm për të kryer një vepër penale, por krijohet për të kryer disa vepra penale dhe patjetër që ato të jenë të rënda’ u shpreh ish-prokurori, Eugen Beci.
Së fundi, saga e hakmarrjeve është rindezur mes grupeve të Vlorës. Por, nuk dihet nëse viktima nga Mirdita ishte implikuar në përplasjet e bandave në zonën ku atij iu bë atentat. Përplasja mes grupeve të Inezit dhe atij të vëllezërve Sinomati është e njohur në qytetin bregdetar por asnjë ngjarje nuk është zbardhur.
Por, le të kthehemi te ngjarja e Novoselës. Pavarësisht miqësive të viktimës në zonë, nuk ka asnjë informacion për përzierjen e Kristjan Bardhit alias Markut në përplasjet mes grupeve atje.
Kjo ka bërë që Prokuroria e Vlorës, të fokusohet fort në të shkuarën e viktimës, përplasjet e familjarëve të tij në vendlindje, në Rrëshen. Ajo që po verifikohet janë dyshimet se dikush e nxori në pritë. Prokuroria ka dërguar për ekspertizë telefonin e viktimës. Pritet zbardha e plotë dhe përftimi i komunikimeve të vjetra për të kuptuar më tepër rreth kontakteve të tij.
Pas gjithë këtyre viteve, ku shumë mendonin se dy fiset kishin gjetur një formë paqeje, e vërteta ishte ndryshe. Ata jetuan në një heshtje të rrezikshme, duke shmangur konfliktet, por pa harruar asnjëherë pasojat që kishte lënë ngjarja tragjike e tri dekadave më parë. Ajo heshtje nuk do të zgjaste përgjithmonë. Tensioni i akumuluar shpërtheu më 26 mars të vitit 2023 kur u plagos Saimir Reçi. Atë ditë, dy familjet do dilnin hapur kundra njëra-tjetrës.
Pakti i heshtur u shkel nga të rinjtë. Një ngjarje që u duk mëse banale, rezultoi që ishte e mirëorganizuar nga Erind Bardhi… Referuar dosjes hetimore, Saimir Reçi që shpëtoi mrekullisht, dëshmon se disa persona të panjohur po filmonin banesën e tij. Kjo e vuri në alarm nisur nga hasmëritë e familjes.
“Në lagje pashë një automjet ‘Mercedes Benz’ 220, të drejtuar nga F.LL, djali i një punonjësi policie. Në sediljen e pasme, ishte një shtetas tjetër, i cili mbante një aparat celular, ku po filmonin banesën time”
Pas këtij momenti, Reçi ndoqi fqinjin e tij dhe pasi e ndaloi në rrugë, e qëlloi me shuplakë. Në këtë moment, nga automjeti del edhe Enrik Bardhi alias Marku, djali i Martin Bardhit. Sipas dëshmisë së Reçit, edhe këtë të fundit ai e ka goditur duke i shkaktuar disa plagë.
‘Për mua incidenti që ka ndodhur me Sajmirin mund të ishte mbyllur edhe me normalizim marrëdhëniesh midis palëve, pra duhet të kishin pasur dashamirësi palët mund të ishin mbyllur sepse ka qenë një incident i momentit, një konflikt që ka ndodhur më parë në rrugë midis Sajmirit dhe djalit të Martinit, dhe ajo që ndodhi më vonë atentati ndaj tij’ u shpreh avokati, Aleksander Ndrejaj.
Disa orë më vonë, Saimir Reçi u përball me anëtarë të familjes Bardhi, të cilët i kishin ngritur një kurth. Ata i bënë pritë në qendër të qytetit dhe hapën zjarr drejt tij. Reçi shpëtoi mrekullisht falë veturës së blinduar me të cilën lëvizte.
“Kam dal me automjetin BMW seria 7, ndala përpara lokalit ‘Filopati’ dhe kërkova të blija një fishë telefoni. Atëherë, një automjet Audi A8 më bllokoi rrugën. Nga ai mjet zbritën Martin Bardhi, Kristian Bardhi dhe Erind Bardhi, të cilët mbanin armë në duar.”
“Objektivi i sulmit ka qenë me fat. Qitësi ka pasur precizion të lartë, duke qëlluar disa herë në xhamin e shoferit”./INSIDESTORY