Nga Armir Shkurti
Është rasti me shpjegu OLIGARKINË për të trashët, për ata që “oligark” quajnë njerëzit me lekë.
JO!
Oligarkia është një regjim politik ku pak duar kontrollojnë gjithë pushtetet: politik, ekonomik, gjyqsor etj.
Sipas mediave, biri i njërit prej duarve që kontrollon gjithë pushtetet në vend ka marrë para një varg makinash dhe ka kundërshtuar policinë, e cila e ka çuar në komisariat.
Ka ndërhyrë babi? “shokët e babit” ( duart e tjera )? apo ka mjaftuar vetëm emri i babit?
Ç’rëndësi ka? Oligarkia i është kthyer egër, por ftohtë, njërit prej policëve. Shefi, kolegu, prokurori etj, që me letra përbëjnë atë që quhet “shteti ligjor” e kanë trajtuar si kriminel funksionarin e shtetit, kolegun me uniformë blu.
“Duan të më shkatërrojnë karrierën! ” – i ka shkruajtur Azbi Spahiu të birit, para se të hidhet nga kati i 11.
A e kapën për krahësh dhe e vërvitën nga lartësia?
Po të jetë kështu, unë personalisht do të ndjehem shumë më rehat. Mirë! Paskemi të bëjmë me një psikopat, hakmarrës, kriminel që vret një polic për shkak të detyrës. Nuk është as i pari as i fundit. Ka ndodhur, ndodh e do të ndodhë në çdo vend e në çdo kohë.
…por unë tmerrohem kur arsyetoj se atë e hodhi OLIGARKIA thjesht me frymë. Madje as me frymë, por me hijen e saj. Ata që formalisht janë funksionarë shteti, rendi, drejtësie, në jetën reale s’janë veç mercenarë të tredhur të oligarkisë. Azbi Spahiut i vranë dinjitetin, i thërrmuan besimin, i përdhosën personalitetin, i kërcënuan lirinë, bukën dhe i vunë në pikëpyetje jetën. Ku ka krahë më të fuqishëm se këta për të përfshirë zvarrë këdo e për ta fluturuar, jo nga kati 11, por madje tutje Shqipërisë
Në 1 milion shqiptarë që kanë lënë vendin dekadën e fundit, unë besoj se shumica janë Azbinj, njerëz që OLIGARKIA ua ka bërë të pamundur jetën këtu e ata, më mirë se të hidhen nga lart, kanë zgjedhur të hidhen sa më larg: që nga Gjermania gjer në Zelandë të re e Alaskë.
Azbi Spahiu ( Zoti i dhëntë shërim të shpejtë e jetë të gjatë ) është dëshmor i OLIGARKISË shqiptare. Në vend të tij do të jesh TI nesë kur me a pa dashje do t’u dalësh në rrugë, siç qëlluan makinat që karamboi ai birbo e siç qëlloi Azbiu në kohën, vendin dhe punën e gabuar, e mbi të gjithë, në iluzionin se po i shërben një shteti ligjor në një sistem demokratik.
Flas sot, sa ende jemi ende në kohë, se ndoshta nesër:
“Asht’ rradha jon’! Asht’ rradha jon’! Asht’ rradha jon’!”