Polici i qarkullimit rrugor, Azbi Spahiu tentoi vetëflijimin duke u hedhur mbrëmë nga një pallat në rrugën “Kongresi i Manastirit” në Tiranë. Aktualisht, ai ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Disa ditë më parë, Spahiu arrestoi Martin Manen, djalin e biznesmenit të njohur Samir Mane, për drejtim mjeti në gjendje të dehur pas një aksidenti pranë Parlamentit.
Pas këtij arrestimi, ndaj Spahiut u ushtrua presion duke u pyetur për arsyet e kryerjes së testit të alkoolit ndaj Manes. Madje, raportohet se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur një hetim disiplinor ndaj tij.
Pavarësisht seriozitetit të situatës dhe raportimeve mediatike, Policia e Shtetit, AMP dhe Ministria e Brendshme ende nuk kanë dhënë asnjë deklaratë zyrtare lidhur me këtë çështje.
Heshtja e institucioneve përkatëse ngre pikëpyetje mbi transparencën dhe integritetin e strukturave të sigurisë në vend.
Publiku pret një sqarim të plotë mbi rrethanat e ngjarjes dhe veprimet e ndërmarra nga autoritetet për të garantuar zbatimin e ligjit pa ndikime të jashtme. /korrieri