Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin, ku një punonjës policie u hodh nga një pallat në Tiranë dhe ndodhet në spital.
Ngjarja ka hapur një sërë pikëpyetjesh, duke ngritur dyshime për rrethana të dyshimta që mund të lidhen me një skandal të madh. Disa ditë më parë, mediat përfshi Korrierin, raportuan se Martin Mane, djali i oligarkut Samir Mane, ishte arrestuar pasi kishte shkaktuar një aksident rrugor nën efektin e alkoolit.
Punonjësi i policisë në fjalë, thuhet se kishte detyruar Martin Manen t’i nënshtrohej testit të alkoolit.
Pas kësaj, Nisma Thurje ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga institucionet shtetërore. Organizata i është drejtuar Policisë së Shtetit, Ministrisë së Brendshme, Prokurorisë së Tiranës, Avokatit të Popullit dhe SPAK-ut për të hetuar ngjarjen dhe për të siguruar zbardhjen e plotë të saj.
“Ky është vetëm hapi i parë në përpjekjen tonë për të nxjerrë të vërtetën në dritë dhe për të mbajtur përgjegjës këdo që mund të ketë ushtruar presion mbi punonjësin e policisë apo ka penguar zbatimin e ligjit,” deklaron Nisma Thurje.
Organizata thekson se nuk do të lejojë që qytetarët e ndershëm të bëhen viktima të sistemit të korruptuar dhe është e vendosur të luftojë për drejtësi, pavarësisht sa e pabarabartë duket kjo betejë.
Dr. Endrit Shabani ka bërë thirrje për solidaritet dhe mbështetje për zbulimin e të vërtetës, duke denoncuar fuqishëm ndikimin e pushtetit dhe parave mbi ligjin në Shqipëri. /korrieri