Polici që arrestoi djalin e Samir Manes u hodh nga pallati, Arlind Qori 4 pyetje Policisë së Shtetit
Kryetari i Lëvizjes BASHKË, Arlind Qori, ka reaguar lidhur me incidentin e fundit ku një oficer policie, i quajtur Azbi Spahiu, dyshohet se është hedhur nga ballkoni i një pallati.
Në një postim në rrjetet sociale, Qori ngre pyetje mbi lidhjen e mundshme të këtij incidenti me ndalimin e mëparshëm të Martin Manes, djalit të biznesmenit Samir Mane, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe kundërshtim të policisë.
Qori kërkon nga Policia e Shtetit përgjigje për pyetjet e mëposhtme:
1. A është Martin Mane shkaktar i aksidentit në rrugën “Xhorxh Bush”, i raportuar më herët nga policia si shtetasi 28-vjeçar M. M.?
2. A ka qenë polici A. S. pjesë e grupit që ka ndaluar shtetasin M. M. pas këtij aksidenti?
3. A ka nisur hetim disiplinor Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ndaj policit A. S. në lidhje me këtë ndalim?
4. A ka dëshmi se polici A. S. është ndjerë nën kërcënim apo presion për shkak të detyrës në lidhje me këtë ngjarje?
Qori thekson rëndësinë e transparencës në raste që përfshijnë individë me influencë dhe inkurajon gazetarët investigativë të hetojnë më tej këtë çështje. Ai gjithashtu fton çdo punonjës policie me dijeni mbi dinamikën e ngjarjes të dëshmojë për të vërtetën. /korrieri