Janë publikuar detaje të tjera lidhur me ngjarjen tronditëse të policit Azbi Spahiu, i cili dyshohet se është hedhur nga një pallat në kushte të rënda psikologjike pas marrjes në pyetje nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP). Ngjarja ndodhi pas arrestimit të Martin Manes, djalit të biznesmenit të njohur Samir Mane, i cili u kap i dehur në timon.
Sipas Policisë së Shtetit, Martin Mane ishte i dehur në timon dhe shkaktoi një aksident pranë Parlamentit, ku përplasi disa makina.
Pas ndjekjes nga një punonjës i Policisë Rrugore, ai u shoqërua në Komisariatin Nr. 1. Oficeri i Policisë Gjyqësore i gatshëm, Azbi Spahiu, ka ndjekur të gjitha procedurat sipas rregullave. Në raste të tilla, procedura standarde parashikon arrestimin e personit dhe paraqitjen e tij në gjykatë për vlerësim të masës së sigurisë.
Sipas VNA, pas shoqërimit në komisariat, Martin Mane, i orientuar nga avokati i tij, kërkoi ndihmë mjekësore, duke pretenduar se nuk ndihej mirë. Ambulanca e transportoi në spital, ku mjekët rekomanduan që ai të qëndronte aty deri në marrjen e masës së sigurisë. Megjithatë, të nesërmen, prokurori shpalli arrestin të paligjshëm dhe ai u lirua.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje të shumta, sidomos për presionin e mundshëm të ushtruar ndaj policit Azbi Sohiu, i cili kishte ndjekur rregullat e protokollit. Pas marrjes në pyetje nga AMP lidhur me rastin, burime bëjnë me dije se Spahiu ishte në gjendje të rënduar psikologjike, çka mund të ketë çuar në aktin tragjik të tij.
Kjo ngjarje ka tronditur opinionin publik, duke ngjallur debate për integritetin e institucioneve dhe për trajtimin e rasteve që përfshijnë individë me lidhje të forta ekonomike dhe politike. /korrieri