670 mijë litra naftë është sekuestruar në portin e Durrësit. Karburanti vinte nga Tunizia me anijen që mbante flamur të Tanzanisë, ‘Aya Zanouby’. Në bordin e anijes ishte deklaruar se kishte një ngarkesë çimento, por Guardia di Finanza italiane dha sinjale se brenda kishte karburant. Në bazë të këtij informacioni, Dogana bëri kontrollin e imtësishëm në bord dhe gjeti naftën. Policia në njoftimin zyrtar bëri me dije se ka sekuestruar anijen, 14 dokumente identifikimi dhe dokumente për lundrim, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për rastin. Në pranga janë vendosur 3 persona: Mohammd Kahilah, kapiten i anijes, Eneo Cano marinar dhe indiani Sushil Vema, oficer i parë; ndërsa në gjendje të lirë po hetohen 5 antarët e tjerë të bordit, shqiptarë dhe të huaj.
“Hetimet profesionale dhe të shpejta identifikojnë 2 organizatorët e këtij rasti. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre,”- njoftoi Policia.
NJOFTIMI I POLICISË:
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Ari i zi”. Sekuestrohen 670 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia. Gjithashtu, sekuestrohen anija me të cilën ishte kontrabanduar nafta, 14 dokumente identifikimi dhe dokumente për lundrim, 10 celularë dhe dokumente të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për rastin. Vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas (shqiptarë dhe të huaj), pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.
Hetimet profesionale dhe të shpejta identifikojnë 2 organizatorët e këtij rasti. Punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre. Si rezultat i punës së inteligjencës policore dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Durrës, Antikontrabandës dhe Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DPPSh-së, Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, Degës së Doganës Durrës, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Ari i zi”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasi sirian M. K., 45 vjeç, me detyrë kapiten i anijes, shtetasi shqiptar E. C., 43 vjeç, me detyrë marinar i anijes, si dhe shtetasi indian S. V., 42 vjeç, me detyrë oficer i parë i anijes. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit E. S., 59 vjeç, banues në Durrës, dhe F. B., 29 vjeç, banues në Zvicër. Më tej, gjatë këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit. Nga kontrolle në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën përkatësisht 670 000 litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./korrieri