Ramazan Mataj ishte personi i parë që u vra për këtë vit, duke rikthyer edhe njëherë “vëmendjen” në Shkodër. 33-vjeçari u ekzekutua vetëm 2 kilometra larg banesës së tij, ku edhe ishte duke shkuar me mjetin e tij, tip “Mercedez Benz”. Por nuk e dinte që i ishte bërë pritë. 1 ose 2 persona, nuk është ende e qartë as për grupin hetimor, kanë qëlluar ndaj tij me breshëri automatiku duke e lënë të vdekur në vend. Ai u gjet në mjet i vrarë mëngjesin e 5 janarit, rreth 8 orë pasi ngjarja kishte ndodhur, nga banorët e zonës që lajmëruan familjen e të ndjerit dhe Policinë e Shtetit.
I riu, kishte 1 vit që ishte kthyer nga Belgjika, ndërsa me kthimin në Shqipëri, ai ka punuar në Ulqin të Malit të Zi,në sektorin e ndërtimit. Ndaj pistat për shkakun e vrasjes së tij deri më tani janë vetëm 2. Njëra ka lidhje me të shkuarën e tij, edhe pse i riu është pa precedentë penalë si në vendin tonë, edhe jashtë.
I vetmi procedim penal ndaj 33-vjeçarit rezulton për prerje të paligjshme të pyjeve.
Megjithatë është një pikë që nuk është përjashtuar nga hetuesit e vrasjes. Për të mësuar më shumë lidhur me aktivitetin e të riut jashtë vendit, do të merret në pyetje vëllai i tij, i cili ende jeton në Belgjikë.
Një tjetër pistë që po hetohet është edhe ajo e konflikteve personale, edhe pse babai i të ndjerit e përjashton si mundësi.
Dyshohet se Ramazan Mataj ka ngacmuar vajza në rrjetet sociale, histori të cilat mund të kenë krijuar debate të cilat fatkeqësisht përfunduan në tragjedi. Por për familjarët e të ndjerit, nuk qëndron, pasi i riu kishte në plan që të fejohej shumë shpejt. Për të hedhur dritë mbi dyshimet, aparati celular i të riut, i cili u gjet në makinën e tij, është dërguar në laborator për t’u hapur. Kjo është shpresa kryesore e hetuesve për të shkuar drejt një identifikimi të autorit apo autorëve të dyshuar. Ndoshta, autori ka komunikuar me ndonjë telefonatë apo mesazh me viktimën dhe ka lënë gjurmë të mjaftueshme për t’u identifikuar.
Në kushtet e deritanishme, nga autori nuk ka shenja, kjo edhe sepse zona ku ka ndodhur atentati nuk është e mbuluar me kamera sigurie, pasi vrasja ka ndodhur në një rrugë dytësore. Nga vendi i ngjarjes, gjurmët e autorit janë ndjekur nga grupi hetimor përmes një qeni të Policisë, i cili i ka çuar deri në një farë pikë, por më pas i ka humbur gjurmët e autorit.
Ndërkohë sot, babai i të ndjerit, Fatmir Malaj ka dhënë një intervistë për “Top Channel” dhe ka mohuar faktin që i biri të jetë i përfshirë në punë të paligjshme. Ai u shpreh se nëse atentati ndaj djalit të tij nuk do të zbardhet, do ta kërkojë vetë autorin dhe do të hakmerret. Ndaj për të shmangur sipas tij gjakderdhjen, kërkon nga autoritetet zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit.
“I kërkoj shtetit mos të hapë viktima më tepër, të zbardhë çështjen. Nuk kam pas debat me askënd. Kemi qenë për një kafshatë bukë. Djali punonte në Mal të Zi. Priste fejesën dhe letrat. I kërkoj shtetit drejtësi, mos të hapen viktima të tjera, mos të marrim rrugë pa dashje me fjalë. Kur nuk del e drejta, do e gjej vetë. Do ta laj me gjak nëse nuk ndërhyn shteti. I bëj thirrje shtetit të kapen autorët sa më parë. Dhe rrjetet, ju lutem shumë mos fusni hundët, nuk jemi ne ata. Ju lutemi shumë, nuk kemi lidhje më askënd në botë. Mos abuzoni (mediave). Nuk jemi ne njerëz që merremi me punë të pista. Nuk kemi lidhje me asnjë, vetëm punë shtëpi, shtëpi punë. Mos krijojmë viktima më shumë, ta mbyllim programin më keq, nëse nuk del do e kërkoj vetë, nuk do shkojë gjatë. Nuk kemi asnjë dyshim, më pas dyshim do kisha vepru brenda 24 orëve. Ka qenë i papërgatitur. Në 8:20 na kanë lajmëru, unë kam shëtit gjithkund. Komunikimi i fundit në orën 8:20 kur doli nga shtëpia. Do takoj dikë tha, nuk di asgjë tjetër. Nuk më është përgjigjur në telefon. Nuk kemi pasur asnjë ngatërresë, as debat me askënd. I kërkoj shtetit mos të hapë viktima më tepër, të zbardhë çështjen. Nuk kam pas debat me askën. Kemi qenë për një kafshatë bukë,”-tha me lot në sy babai i viktimës.
Tashmë, dy ditë pas ngjarjes, hetimet vazhdojnë, por ende pa një emër, ndërsa thirrjet për drejtësi nga familja, ende vijojnë. /korrieri