Një shpërthim i fuqishëm dhe vdekjeprurës ka ndodhur në një fabrikë të prodhimit të eksplozivëve në qytetin Balikesir të Turqisë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së martës. Aktualisht, 12 persona kanë humbur jetën dhe 3 janë plagosur nga shpërthimi në lagjen Karesi. Në fakt, shpërthimi ishte aq i dhunshëm sa shkaktoi një dridhje të tokës, ose të paktën kështu pretendon kryetari i provincëst që ndodhet 800 metra larg vendit të ngjarjes. Sipas Ismail Ustaoglou, ka shqetësim për numrin e viktimave që mund të rritet.
“Xhamat u tronditën nga shpërthimi dhe ne pamë një top zjarri në qiell. 20 persona zakonisht punojnë në një turn. Në fabrikë punojnë gjithsej 300 persona. Aty punonin edhe njerëz nga fshati ynë,”- tha ai për CNN Turk.
Mediat turke kanë nxjerrë pamje nga shpërthimi i fabrikës. Në pamje duken disa autoambulanca në vendngjarje, pasi ekziston frika se numri i viktimave të shtohet.