Autoritet greke kanë arrestuar 12 persona, pasi kishin hapur një kompani për eksportin e pijeve të alkoolit në Shqipëri, por i rikthenin në Greqi. Tre kompani ekzistuese greke kishin hapur tre biznese virtuale, dy në Shqipëri dhe një në Austri, ku supozohej të përfundonin produktet e importuara, por ata i rishisnin pijet pa doganë për bizneset në territorin grek.
Në thelb, dukej se kompania e supozuar austriake kërkonte nga kompanitë greke që në emër të saj t’i eksportonin pijet në dy kompanitë shqiptare, por kamionët mbërrinin bosh në kufirin greko-shqiptar, kompanitë greke thjesht i mbajtën pijet pa doganë dhe i rishisnin brenda vendit.
Në këtë mënyrë anëtarët e grupit realizuan të ardhura më të mëdha për ta dhe humbje miliona euro për shtetin grek, pasi nuk u shlyen detyrimet e parashikuara. Mësohet se në këtë rast është përfshirë edhe një zyrtar i lartë grek i Autoritetit të Pavarur të të Ardhurave Publike në Athinë.
Bëhet me dije se zyrtari grek bënte letra false për të shoqëruar pijet kontrabandë jashtë vendit. /korrieri