Mbrëmja e djeshme në Tiranë u trondit nga një shpërthim tritoli! Një sasi tritoli shpërtheu në ballkonin e katit të 9 të një apartamenti në Tiranë.
Policia e Shtetit ka bërë me dije se apartamenti ishte në pronësi të Albert Thomas, por i ishte lëshuar me qira Elena Arzas. Por duket se nuk ishte vetëm Arza, ajo që frekuentonte apartamentin e lënë me qera. Banesa në Tiranë në rrugën “Sadik Petrela” frekuentohej nga i “forti” i Vlorës, Bernard Sinomati. Ky detaj u zbulua pasi në apartament janë gjetur sendet personale, dokumentet dhe portofoli i Bernard Sinomatit.
Dyshohet që Sinomati dhe bashkëjetuesja e tij, Elena Arza kanë qenë në banesë në momentin kur ka ndodhur shpërthimi dhe më pas janë larguar me shpejtësi, por deri më tani, asnjë prej tyre nuk është gjetur për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Shërbimet e Policisë, me ndihmën e forcave zjarrëfikëse, hapën me forcë derën pasi në banesë nuk kishte njeri, ku edhe konstatuan të dëmtuar nga lënda plasëse, xhamin dhe vetratën e ballkonit. Mesa duket, fatmirësisht nga shpërthimi ka pasur vetëm dëme materiale.
Nisur nga rrethanat e ngjarjes, tritoli ka shpërthyer në katin e 9, hetuesit kanë ngritur dyshime se për hedhjen e eksplozivit në ballkon është përdorur një dron.
Por kush është Bernard Sinomati?
I riu nga Vlora është një emër shumë i njohur për Policinë e Shtetit, pasi është i arrestuar më parë për armëmbajtje pa leje, por edhe i dënuar në Belgjikë për trafik droge. Emri i tij u rishfaq në vitin 2022, kur i vendosën tritol mjetit të tij që ishte parkuar pranë një poliklinike të qytetit të Vlorës. Gati një vit më parë, Sinomatit iu vra nipi, Gëzim Sinomati. “Probleme” me ligjin ka edhe vëllai i tij Sokol Sinomati. Emri i tij është bërë i njohur që kur iu bashkua grupit të Gazment Brakës, të njohur gjerësisht si “Gaxhai” e që sot ndodhet pas hekurave, i dënuar me burgim të përjetshëm.
Të qëndruarit në një rreth të tillë, e përfshiu Sinomatin në ngjarje të rënda kriminale, si vrasje, grabitje, plagosje e rrëmbime. Në vitin 2000, në moshën 27-vjeçare, Sokol Sinomati i njohur dhe me nofkën “Buzderri” tronditi qytetin e Vlorës, duke qëlluar me breshëri automatiku ndaj Sokol Nuhos. Më 26 qershor të vitit 2002, Armando Sulejmani, i njohur si Çipuri dhe Sokol Sinomati i bënë pritë Elton Tatos dhe Robert Borakut. Sinomati u vendos në burgun e Peqinit nga ku u arratis në vitin 2017. Ai mori leje për të dalë disa ditë nga burgu, dhe më pas në rrethana që nuk sqarohen as sot e kësaj dite u largua jashtë Shqipërie bashkë me të vëllanë Bernard Sinomati e të birin që ishte adoleshent në atë kohë, Gëzim Sinomati.
Në fund të vitit 2022, ai u ekstradua në Tiranë, për ngjarjen e regjistruar në vitin 2002 në Skelë, ku i vrarë mbeti Tato. Ndërkohë që këtë vit përfundoi dënimin, Sinomati u ekstradua në Itali për të përfunduar një dënim në shtetin fqinj. Ndërkohë që pas të birit, duket se në shënjestër të kundërtarëve është edhe i vëllai i tij. Tashmë, për ta ka edhe një tjetër dosje në Polici. /korrieri