Nëna e 14-vjeçarit të vrarë nga bashkëmoshtari i tij në shkollën “Fan Noli” ka dhënë një intervistë për emisionin “Opinion” në Tv Klan.
Gjatë fjalës së saj Florina Cani shprehet se iu beson fjalëve të Luisit, shokut të Martinit i cili gjithashtu mbeti i plagosur në atë ngjarje që thotë se kanë qenë dy persona të cilët kanë gjuajtur me thikë.
Nëna e Martinit bën thirrje për zbardhjen e rastit ku sipas saj kjo ngjarje është manipuluar.
Blendi Fevziu: Po me Luisin me djalin e plagosur keni folur me të?
Florina Cani, nëna e Martin Canit: Po kemi folur me Lusin. Luisi i ka thënë fjalët e veta. Luisi i qëndron atyre fjalëve dhe unë nuk e di pse nuk i besojnë Luisit. Ai pretendon se kanë qenë dy goditës me thika. Mund të kenë qenë dy, por mund të kenë qenë edhe më shumë, këtë nuk e di, por ama Luisi këmbëngul që kanë qenë dy veta. Luisi me thotë që më kanë goditur pas shpinë.
Blendi Fevziu: Po me babanë e tij keni folur?
Florina Cani, nëna e Martin Canit: Po edhe ai ashtu thotë.
Blendi Fevziu: Po në polici ju kanë thirrur?
Florina Cani, nëna e Martin Canit: Bashkëshortin po, mua jo sepse kam qenë në gjendje shoku.
Blendi Fevziu: Cili është shqetësimi juaj më i madh.
Florina Cani, nëna e Martin Canit: Shqetësimi im më i madh është se këtu nuk ka siguri. Unë jam nëna biologjike dhe më pas vjen mësuesi, sepse mësuesi është nëna e dytë për fëmijët. Unë isha e sigurtë që e kam fëmijën në shkollë dhe jo Martini të grindet me fëmijë. Ata kishin mundësi t’i parandalonin ata dy fëmijë, sepse fëmijë ishin. Aty flitet që mbaheshin thika nëpër çanta. Nuk besoj që ajo ishte aq e lehtë sa për ta kaluar. Nuk është aq e lehtë të bashkosh dy fëmijë në atë moshë sepse ata janë adoleshentë.
Blendi Fevziu: Pra ju nuk dini asgjë më shumë për ngjarjen se sa keni lexuar dhe ju ka thënë policia dhe ato që ka dëshmuar Luisi.
Florina Cani, nëna e Martin Canit: Po ato që ka dëshmuar Luisi unë i besoj dhe nuk dua që të mbulohet ajo që thotë Luisi sepse unë besoj se këtu ka manipulim sepse për çdo lloj rasti zbulohet brenda pak minutash ndërsa unë jam bërë një muaj që po rënkoj e qaj dhe askush nuk më jep përgjigje. /korrieri