Florina Cani, nëna e Martinit 14-vjeçarit që u vra në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli” tha se ka dyshime se ngjarja po manipulohet. Për emisionin “Opinion” Florina, tha se deri më sot ajo ende nuk e ka mësuar shkakun e sherrit që u përfshi djali i saj, ndërsa u shpreh se mësuesja dhe drejtoria e shkollës nuk e kanë ngushëlluar. Më tej, ajo rrëfen momentin kur, atë e telefonojnë nga pas sherrit, duke i thënë se Martini ndodhej tek Trauma dhe ia mbyllën telefonin, por nuk e informuan më shumë.
“Ishte gëzimi jonë. Ishte busulla jonë, ishte një fëmijë i mbushur me dashuri. Kam shumë fjalë për të thënë për Martinin. U shkëputa nga arsimi për tu përkushtuar pas djalit, të rris Martinin sepse ishte gëzim shumë i madh. Pas Martinit me erdhi në jetë Henri. Martini ishte një fëmijë shumë i shkathët dhe zgjodhëm shkollën më të mirë. Ai ishte shumë i mirë me mësime. Kishte dëshirë sportin, bashkëshorti e mbështeste. Sportin e ka filluar që në klasën e dytë. Sportin e kishte pasion, por edhe shkollën e kishte pasion. Martini është grindur me disa djem. Më tha që është te Trauma dhe ma mbylli telefonin. Mora burrin dhe i thashë që Martini është te trauma. Shkuam aty, ça të shihnim. Nuk e arritëm dot, nuk na lanë të futeshim brenda. Unë e them që faji është nga porta e shkollës dhe mua duhet të më kishin njoftuar. Nuk e kam mësuar shkakun e sherrit, sepse mësuesja nuk më ka ngushëlluar, as drejtoria e shkollës nuk më ka ngushëlluar. Pas një jave kur më morën në telefon unë nuk i pranova”, tha Florina.
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t’u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën dhe ka lënë spitalin. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për “Snapchat”. Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari është shoqëruar në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij.