Më shumë se 1 milion shqiptarë vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë. Monitor shkruan se sipas të dhënave të fundit të INSTAT, 42.1% e popullsisë në Shqipëri vuajnë nga një formë e rëndë e varfërisë.
Po të marrim në konsideratë të dhënat e Cens 2023, popullsia e vendit ishte 2.4 milionë banorë dhe mbi 1 milion shqiptarë jetojnë në varfëri.
Të 1 milion shqiptarët jetojnë në familje që nuk mund të përballojnë të paktën shtatë nga trembëdhjetë kategoritë e privimit. Këtu mund të përmendim vonesat në pagesat e kredisë ose të qirasë për banesën kryesore, shpenzimet për shërbimet bazë, blerjet me këste ose pagesa të tjera të kredive të marra apo pamundësinë për të përballuar shpenzimet për pushimet vjetore një javë larg nga shtëpia si dhe pamundësia për të përballuar një shpenzim të paparashikuar financiar me vlerën 30.000 lekë të reja.
Sipas Eurostat, Shqipëria ka përqindjen më të lartë në Europë të popullsisë në rrezik të varfërisë. Treguesit për Shqipërinë, sipas Eurostat, janë dukshëm më të lartë krahasuar me vendet e tjera fqinje të Ballkanit Perëndimor ku Mali i Zi ka 34.1% të popullsisë në rrezik varfërie, Maqedonia e Veriut 32.6%, Serbia 30% ndërsa për Bosnjë Herzegovinën dhe Kosovën nuk ka të dhëna.
Të dhënat e Eurostat për vendet e Bashkimit Europian flasin se në vitin 2023, rreth 21.4% e popullsisë europiane ose 94.6 milionë banorë ishin në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social. /korrieri