Detaje të reja janë zbardhur nga atentati që tronditi Vlorën mbrëmjen e 18 dhjetorit, ku mbeti i plagosur Kevin Hajrulla 30 vjeç dhe Armand Spahiu 35 vjeç, tregtar ky i fruta perimeve. Mësohet se shënjestra e atentatit, Kevin Hajrulla është në gjendje të stabilizuar mjekësore. Ai u dërgua në spitalin e Traumës për mjekim të specializuar.
Nga grupi hetimor konfirmohet se 30-vjeçari ka marrë disa plumba në trup, por plumbat e kanë kapur në pjesën e barkut si dhe në organet gjenitale. Dëmtimet në pjesën e barkut dhe tek organet gjenitale janë të shumta. I plagosuri tjetër Armand Spahiu ka marrë një plumb në këmbë dhe pasi ka marrë ndihmën mjekësore pas disa orësh ka dalë nga spitali mëngjesin e së enjtes.
Itinerari i autorëve
Raportohet se makina e llojit ‘Kia’, që i përket autorëve të sulmit, e cila u gjet e djegur në afërsi të fshatit Panaja, ka ardhur nga brendësia e lagjes 24 Maji. Në kryqëzimin e postës së Çoles ajo ka qenë përballë mjetit të llojit Benz dhe dy persona në vendin e parë të pasagjerit kanë hapur zjarr drejt automjetit. Dyshohet se një tjetër mjet i ka ndihmuar autorët të largohen, pasi kanë djegur makinën dhe armët e krimit.
Makina rezulton e vjedhur dhe targat gjithashtu të vjedhura që nuk i përkasin atij mjeti. Në atentatin e Hajrullës janë angazhuar edhe persona të tjerë krahas tre autorëve që ishin në brendësi të mjetit ‘Kia’. Këta shtetas kanë qenë të pozicionuar në pika kyçe për të komunikuar me autorët e krimit mbi lëvizjet e Kevin Hajrullës deri në mbërritjen e tij në vendin ku u krye krimi. Itinerari është zbuluar nga kamerat e sigurisë në zonë.
Ndërkohë të gjithë personat e shoqëruar në komisariat mes tyre miq, dëshmitarë okular në vendngjarje, që janë marrë në pyetje në komisariat janë lënë të lirë. Dëshmia e rreth 20 personave nuk ka zbuluar ndonjë detaji mbi ngjarjet. Ende nuk janë marrë në pyetje familjarët për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore që ndodhej i plagosuri.
Dyshohet se atentati ndaj 30-vjeçarit ka lidhje me kushëririn e tij Inez, i cili është mjaft i njohur për drejtësinë. Inez Hajrulla ka qenë objektiv i dy atentateve në qytetin e Vlorës. Njëri ndodhi në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët, ndërsa tjetri ndodhi me 10 maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal. /korrieri