Kevin Hajrulla, i cili mbeti i plagosur rëndë pas një atentati ndaj tij, është dërguar në spitalin e Traumës. Raportohet se ndaj kushëririt të Inez Hajrullës, të fortit të Vlorës, është qëlluar me të paktën 30 plumba. I plagosur nga atentati mbeti i edhe 35-vjeçari Armand Spahiu, i cili shiste fruta-perime pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
Autorët vijojnë ende të lirë dhe të paidentifikuar. Makina e autorëve tip KIA u gjet e djegur në fshatin Panaja në autostradën Vlorë-Fier, ndërsa autorët më pas janë larguar në drejtim të paditur. Brenda automjetit janë gjetur dy armë zjarri tip kallashnikov dhe dy krehër fishekë. Policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa për gjetjen e tyre.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:30 (18 dhjetor 2024) në lagjen 24 maj’ në afërsi të postës së Çoles. Autorët pritën të parkojë një Benz ngjyrë gri, me të cilin ka qenë duke lëvizur dhe më pas gjuajën breshëri plumbash në drejtim të tij. Pas atentatit, Kevin Hajrulla është nxjerrë nga makina nga kalimtarë të rastit dhe është dërguar në spital. E gjithë zona ku ndodhi atentati ka kamera sigurie që mendohet se kanë filmuar skenën, por dhe lëvizjet e autorëve.
Dyshohet se atentati ndaj 30-vjeçarit ka lidhje me kushëririn e tij Inez, i cili është mjaft i njohur për drejtësinë. Inez Hajrulla ka qenë objektiv i dy atentateve në qytetin e Vlorës. Njëri ndodhi në vitin 2017, Hajrulla ishte pre e një atentati me tritol ku mori dëmtime të rënda në të dyja këmbët, ndërsa tjetri ndodhi me 10 maj të vitit 2019 në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku Hajrulla u qëllua me armë zjarri nga një automjet në lëvizje, teksa ishte ulur në një lokal. /korrieri