Konfiskohen disa pasuri të paluajtshme që janë përfituar nga veprimtaria kriminale e Alket Hatijas, i cilësuar edhe me pseudonimin “Zoti i drogës” në Itali nga autoritetet ligjzbatuese dhe mediat.
I dënuar me 20 vjet burgim nga autoritetet gjyqësore italiane për trafikim të sasive të mëdha të lëndëve narkotike, kryesisht heroinë gati dy dekada më parë.
“Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare i DVP Durrës, në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pronave të Konfiskuara dhe Sekuestruara, në kuadër të operacionit policor të koduar “Konfiskimi”, ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme, të cilat ky shtetas i kishte regjistruar në emër të vet dhe të familjarëve të tij”, njoftoi Policia e Durrësit, që bën edhe ekzekutimin e vendimit. Konkretisht bëhet fjalë për
-1 sipërfaqe toke truall
-1 garazh
-1 apartament në Durrës
-1 apartament në Kavajë
Alket Hatija akuzohet se gjatë periudhës 2003-2004, ka kryer veprimtaritë kriminale të mbajtjes, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike heroinë, nga Shqipëria në Itali.
Ai ka trafikuar nga Shqipëria në Itali, me bashkëpunëtorët e tij, nëpërmjet automjeteve të transportit ndërkombëtar, sasi të mëdha droge (rreth 10 kg heroinë për çdo rast). Por sasitë në total mund të shkonin edhe mbi 400 kilogramë të dokumentuara nga përgjimet dhe hetimet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./korrieri