Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, është shprehur se me Reformën në Drejtësi, pandëshkueshmëria po tronditet në Shqipëri.
Komentet Dumani i bëri në ceremoninë e përfundimit të vettingut të prokurorëve e gjykatësve, proces që nga 31 dhjetori do i kalojë në kompetencë kreut të SPAK.
Dumani tha gjithashtu se me Reformën në Drejtësi është rritur demokracia dhe është shtruar rruga për integrimin e vendit në BE.
Kreu i SPAK tha gjithashtu se gjatë rrugëtimit të tij SPAK është përballur me shumë sfida, të cilat sipas tij, as nuk i kanë stepur e as nuk i kanë trembur prokurorët.
“Të nderuar ambasadorë, anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të nderuar komisionerë publik. Duhet të ndaj me ju disa reflektime të një procesi që i dha formë sistemit tonë të drejtësisë. Ishte përcaktues për të pasur një demokraci më të fortë dhe për të bërë më të sigurt rrugën drejt BE.
7 vite nuk janë pak, por Reforma në Drejtësi ishte transformuese për të përshkruar një prej proceseve më gjithëpërfshirës, për t’i sjellë qytetarëve shqiptarë një sistem drejtësie të drejtë e profesional. KPK dhe KPA kanë vendosur me shembullin e tyre një gurëthemel mbi të cilat institucionet e drejtësisë do të ngriheshin. SPAK është një institucion i pavarur dhe të 20 prokurorët i janë nënshtruar procesit të vettingut.
Pandëshkueshmëria po tronditet sot. Rruga na përball çdo ditë me sfida të reja, që as nuk na kanë trembur, e as nuk na kanë stepur. Një nga përparësitë e SPAK nga 31 dhjetori është edhe administrimi i rolit të komisionerëve publikë. Të gjitha çështjet e papërfunduara të rivlerësimit të magjistratëve, do i kalojnë drejtuesit të SPAK. Deri tani numërohen 40 ankimime. Parashikohet që drejtuesi i SPAK do të ketë një rol të madh të përfaqësimit të këtyre çështjeve përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, tha Dumani.
Ndërsa e dërguara me punë e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Nancy VanHorn, i bëri thirrje SPAK-ut që të vijojë të hetojë çështjet më sensitive korruptive.
“I është bërë shumë rezistencë reformës në drejtësi dhe kjo rezistencë vijon edhe sot e kësaj dite në disa vende. Komisionerët dhe gjykatësit kanë bërë sakrifica të mëdha, profesionale dhe personale, duke marrë vendime jo popullore. Kanë treguar guxim të pamasë. Populli shqiptar duhet të dijë se zyrtarët e neverisë po mbahen përgjegjës çdo ditë dhe kjo do të vazhdojë falë punës së shqiptarëve guximtarë si ju. Të gjithë duhet të jenë krenarë”, tha ajo në ceremoninë e mbylljes së procesit të vetingut.
Por, sipas saj, vetingu nuk ka mbaruar.
“SPAK duhet të vijojë të hetojë çështjet korruptive më sensitive, duke mbajtur përgjegjës ata që kanë abuzuar me pozitat e tyre, pavarësisht politikës dhe favorizimeve”, tha ajo.
/korrieri